Ministri Nufi zhvillon takime në Pentagon, në fokus bashkëpunimi në mbrojtje
Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka marrë pjesë në Takimet Bilaterale për Konsultimet e Mbrojtjes, të zhvilluara në Pentagon në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë datave 11–12 qershor.
Nga pala amerikane, bisedimet u drejtuan nga Alton Buland, zëvendësndihmës i Sekretarit të Luftës në SHBA dhe përgjegjës për politikat evropiane dhe çështjet e NATO-s. Takimet u fokusuan në forcimin dhe thellimin e bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Gjatë diskutimeve, u theksua rëndësia e vazhdimit të pandërprerë të përpjekjeve për zgjerimin e bashkëpunimit në disa dimensione, duke përfshirë rritjen e kapaciteteve mbrojtëse, koordinimin në kuadër të aleancave ndërkombëtare dhe forcimin e partneritetit afatgjatë mes dy vendeve.
Ministri Nufi u shpreh se Shqipëria është krenare për rritjen e angazhimit dhe kontributit të saj në këtë partneritet strategjik dhe se synimi i vendit është thellimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara. Ai nënvizoi gjithashtu se bashkëpunimi me SHBA mbetet një element kyç për sigurinë dhe zhvillimin e sektorit të mbrojtjes në Shqipëri.
Në deklaratat e tij, Nufi vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme dhe afatgjatë të Shteteve të Bashkuara, duke e konsideruar atë si një faktor të rëndësishëm në historinë dhe zhvillimin e vendit. Ai shprehu mirënjohje për ndihmën që SHBA i kanë dhënë Shqipërisë në momente të ndryshme historike.
Në përfundim, ministri theksoi se Shtetet e Bashkuara mbeten partneri më strategjik i Shqipërisë dhe se mbështetja e tyre është thelbësore për forcimin e mëtejshëm të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit.




KOHA JONË SONDAZH

