Nuk deklaroi pasurinë, dërgohet për gjykim ish-kryetari i Këshillit të Qarkut Vlorë
Hetimi ndaj këtij shtetasi ka nisur pas kallëzimit të dorëzuar në 29 gusht 2014 nga ana e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI).
Nga hetimi ka rezultuar se shtetasi Dhimojani nuk ka dorëzuar deklaratën e interesave private ‘Pas largimit nga funksioni”, pavarësisht se ai kishte njoftim zyrtar mbi këtë detyrim dhe fillimisht ndaj tij ishte aplikuar edhe masa administrative “gjobë” për vonesë në deklarim.
Lidhur me këto mosveprime I.L.D.K.P.K.I Tiranë, ka vendosur që të marrë masë administrative ndaj të pandehurit Anesti Dhimojani, duke e dënuar atë me gjobë në masën 100.000 lekë. Vendimi i mësipërm i është njoftuar të pandehurit me anë të shërbimit postar dhe i pandehuri ka marrë dijeni për vendosjen e masës administrative.
Në këto rrethana, i pandehuri Anesti Dhimojani akuzohet se ka konsumuar elementët e figurës së veprës penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.
Burime nga prokuroria sqarojnë se i pyetur lidhur me akuzën i pandehuri ka shpjeguar se ka dijeni për masën administrative të marrë nga I.L.D.K.P.K.I Tiranë ndaj tij, ka shpjeguar gjithashtu se deklaratat e interesave private periodike vjetore dhe atë pas largimit nga funksioni nuk i ka dorëzuar për shkak të neglizhencës së tij, por jo me ndonjë qëllim për të fshehur ndonjë pasuri. Këto shpjegime nuk përbëjnë shkak për përjashtimin e të pandehurit nga përgjegjësia penale