“Nuk doja absolutisht të më çonin në Itali”, Imzot Frendo flet pas kthimit në Shqipëri: Vuajta bashkë me tjerët nga virusi! Situata është e rëndë
Arqipeshkvi Metropolit i Tiranë-Durrësit, Presidenti i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot George Frendo, dha mesazhin e tij pas mbërritjes në Shqipëri, teksa mposhti koronavirusin, duke u trajtuar për 33 ditë me radhë në një spital të Italisë.
Duke folur për media, Imzot Frendo tha se gjatë shtrimit në spital ai pati rastin të ndjehet më afër Jezu Krishtit, por edhe të gjithë atyre që po vuanin bashkë me të nga koronavirusi.
Mes të tjerash, ai theksoi se nuk donte të ikte për kurim jashtë shtetit, pasi mendonte për ata që nuk e kishin një mundësi të tillë, por e kanë dërguar me ngulm.
“Sa shumë ka gabuar Sartri që tha se ferri janë të tjerët. Jo, është bukur të jemi me të tjerët, të ndajmë gjërat. Për mua shpirtërisht ka qenë rast të ndjehem më afër Jezu Krishtit, që ka transformuar dhimbjen, duke e bërë atë shpirtërore. Ishte rasti të ndihesha më afër të tjerëve, afër atyre që si unë po vuanin nga kjo sëmundje. Unë kam pasur fat, që më kanë dërguar jashtë shtetit. Në fillim unë nuk desha absolutisht të shkoja jashtë shtetit, sepse mendoja për ata që nuk kanë mundësi të ikin, por me ngulmë më dërguan atje. Dua të shpreh edhe tani solidaritetin tim me të gjithë ata që janë duke vuajtur nga kjo sëmundje. Dëshiroj t’iu falënderoj të gjithëve.
Situata është shumë e rëndë, kemi një numër mjaft të madh të personave që infektohen, megjithatë shpresoj ta gjejnë gjithmonë mbështetjen e atyre që kanë mundësi të ndihmojnë”, u shpreh Imzot Frendo.
I pyetur për deklaratën e tij mbi vrasjen e bujshme të 25-vjeçarit Klodian Rasha nga policia, George Frendo deklaroi se “Kush e lexon deklaratën time, duhet të kuptojë që unë nuk kam mbështetur asnjë parti politike. Një grua më ka thënë ‘a je shitur?’ Unë nuk shitem, as blihem. Në fakt unë shpeshherë kam folur kundër korrupsionit, padrejtësisë, në mbështetje të të rinjve, që po dalin jashtë shtetit. Përpiqem të flas gjithmonë të vërtetën pa asnjë respekt për asnjë parti politike”.