Nuk e fitoi dot betejën me koronavirusin, ndahet nga jeta gjyqtari. Mesazhi i Gjykatës së Lartë

Gjyqtari Durim Kadiu ka ndërruar jetë si pasojë e komplikacioneve që i shkaktoi koronavirusi, nga i cili ishte i infektuar prej ditësh. Në lidhje me këtë humbje ka reaguar Gjykata e Lartë, e cila shpreh ngushëllime për humbjen e parakohshme të kolegut.

Në një mesazh në “Facebook”, Gjykata thekson se ndarja e tij nga jeta ka trishtuar shumë bashkëpunëtorë të tij, kolegë e miq në Gjykatën e Lartë.

Reagimi i Gjykatës së Lartë:

Gjykata e Lartë shpreh ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të kolegut Durim Kadiu. Kadiu ka ushtruar detyrën e gjyqtarit prej vitit 1994, ka drejtuar Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Kavajë, Kabinetin e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe vitet e fundit ka punuar si ndihmësmagjistrat në Gjykatën e Lartë. Ndarja e tij nga jeta, ka trishtuar shumë bashkëpunëtorë të tij, kolegë e miq në Gjykatën e Lartë.

Me anë të këtij mesazhi, dëshirojmë të shprehim edhe një herë falënderimet tona si gjykatë, për mundësinë që na u dha, për të patur pranë nesh, gjatë gjithë këtyre viteve, një bashkëpunëtor profesionist dhe të përkushtuar si Durim Kadiu dhe njëkohësisht i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes.

SHKARKO APP