Nuk është ide e mirë të pranohet Serbia në BE
Nga Karl-Peter Schwarz
Procesi i anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor po tronditet. Por procedurat burokratike të BE-së nuk janë arsyeja e vetme.
Olaf Scholz, kancelari gjerman dhe Alexander Schallenberg, ministër i jashtëm austriak, pajtohen me shumë politikanë të tjerë evropianë se tashti është momenti i fundit për të integruar shtetet e Ballkanit Perëndimor në BE. Ata janë një “pjesë e pandryshueshme e familjes evropiane” (Schallenberg), dhe çdo vonesë e mëtejshme e bën “Ballkanin Perëndimor të prekshëm dhe të hapur ndaj ndikimit të palëve të treta” (Scholz).
Me dhënien e statusit kandidat Ukrainës në samitin e BE-së, debati mbi pranimin e vendeve të Evropës Juglindore është rritur sërish. Në fund të fundit, kanë kaluar më shumë se 19 vjet që kur samiti i BE-së në Selanik adoptoi perspektivën e një të ardhmeje në Bashkimin Evropian. Por ndërsa Ukraina dhe Moldavia po futen në BE në një proces politik të shpejtë nën efektin e agresionit ushtarak rus, integrimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor po vonohet për arsye burokratike.
Megjithatë, kjo është vetëm një pjesë e së vërtetës. Nuk është rasti që vende si Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria të cilat kanë kohë që i “kanë përmbushur të gjitha kërkesat që u ka bërë Europa” dhe që “reformuan sundimin e ligjit dhe gjyqësorin”, siç ka pohuar Andreas Schieder në një koment për këtë gazetë. Fakti që kreu i delegacionit të Partisë Socialdemokrate austriake në Parlamentin Europian përmendi vetëm këto dy nga gjashtë vendet e Ballkanit që dëshirojnë të anëtarësohen, ndoshta mund të lidhet me faktin se ato qeverisen nga socialistët: Maqedonia e Veriut nga Dimitar Kovaçevski, Shqipëria nga Edi Rama.
Por portali i lajmeve “Euroactiv” doli në një përfundim më pak lajkatar: Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia nuk kishin bërë asnjë përparim të rëndësishëm në frenimin e korrupsionit dhe zbatimin e standardeve evropiane në katër vitet e fundit. Nuk është çështja se sa shpejt do të përmbushen “acquis communautaires” siç quhen rregullat e BE-së, por nëse do të jetë e mundur të thyhen strukturat ilegale paralele, të kapërcehet ekonomia informale dhe krimi, dhe të forcohen institucionet kushtetuese. Serbia është rasti më i keq. Që prej ardhjes së Aleksandar Vuçiqit në pushtet, situata me mediat e pavarura, korrupsionin dhe të drejtat e njeriut janë përkeqësuar edhe më shumë. Jo vetëm që Serbia po refuzon të njohë pavarësinë e Kosovës, e cila po përpiqet të anëtarësohet edhe në BE, por është gjithashtu i vetmi shtet brenda sferës së ndikimit të BE-së dhe, përveç Bjellorusisë, dhe i vetmi në Evropë që mbështet regjimin e Putinit. Politikani opozitar i PD konservative Genc Pollo dyshon se kritika e justifikuar e vetos nacionaliste të Bullgarisë kundër fillimit të negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut synon të spostojë vëmendjen nga ky qendrim i Serbisë, që është vërtet “elefanti në paradhomën” e BE-së.
Sllavizmi e feja nuk mjafton për të shpjeguar miqësinë serbo-ruse. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik dhe Jugosllavisë, elitat qeverisëse ruse dhe serbe e zëvendësuan ideologjinë komuniste me atë nacionaliste. Ata janë autoritarë brenda vendit dhe agresivë me jashtë. Ideja e Putinit për “botën ruse” është e lidhur ngushtë me idenë e Serbisë së Madhe. Serbia është kudo ku jetojnë apo varrosen serbët, ishte motoja serbe në luftën civile jugosllave. Ashtu si nacionalizmi serb shkaktoi masakrën e Srebrenicës, nacionalizmi rus çoi në masakrën e Buças. Lufta që nisi Millosheviqi mori 150,000 jetë. Si serbët ashtu edhe rusët ndihen të poshtëruar nga Perëndimi, ata e shohin SHBA-në si armikun e tyre kryesor dhe e përçmojnë BE-në.
Millosheviqi dështoi. Ndërsa Vuçiç po ndjek planin që Serbia të hajë bukën e BE-së pa hequr dorë nga aleanca de facto me Rusinë. Nuk do të ishte një ide e mirë nëse BE-ja do ta lejonte një gjë të tillë. /Botuar në të përditshmen austriake Die Presse