Nuk ka dimër shpirti ku nuk kundërmon dehja e “Pranverës së Përjetshme” të Auguste Rodin
Nga Albert Vataj
Ndoshta më shumë se rreket të tregojë, kjo puthje e mermertë e Rodin është prej atyre pulitjeve të buzëve që ka thirrur në ngasje kaq shumë etje për puthje, dhe ka shkrirë pafund dimra të shpirtit, për t’i kredhur ata në atë që mjeshtri i pasionit dhe daltës, Auguste Rodin, e ka quajtur “Pranvera e Përjetshme”. Kjo joshje tundimi, ky cak demoniak i zgjimit të shpirtrave për t’u hedhur harrueshëm në atë që është dhe mbetet çast i sublimitetit të epërm të stuhive të gjakut dhe rrebesheve të ndjenjave
“Pranvera e Përjetshme” është, jo vetëm një nga skulpturat më të njohura të Auguste Rodin, krijuar rreth vitit 1884, por edhe fuqia që arti ka në gjithëkohëshmrinë e zgjimit të njerëzores, kopulimit të epsheve në një pulitje që duke mbetur ashtu e ngulmët prej dy qindvjeçarësh, kërkon buzë që i blatohen pasionit, puthje që i ngrenë altare solemnitetit të ndjenjave.
Nëse zjarret janë shuar dhe netët kanë rënë mbi trupat tanë, një palë duar që ngrohen nga harrimi e mbrujnë shkëmbin si krijuesi baltën për të krijuar çastin fatlum të zgjimit të jetës, për të ribërë dhe mbushur me jetë çdo kurm dhe çdo shkëmb, për të nënshtruar me dalldinë e përjetimit çdo frymim që hukat në epshin e dëshirimit.
Kjo vepër nuk paraqet vetëm një çift të dalldisur dashurimi që jepen në një moment pasioni dhe romantizmi të pakushtëzuar, por gjithëçfarë shpirti i skulptorit dëshirueshëm dhe rrëmbimshëm sendërton.
Skulptura paraqet një burrë dhe një grua të zhveshur, të kapluar në një përqafim të zjarrtë, ndoshta jo për t’i vënë zjarrin botës së ndjenjave, se sa për ta shndërruar këtë akt në një altar ku ata që duhen, gjunjëzohen, luten dhe puthen.
Ata, që Rodin i nxjerr nga shkëmbi, shfaqen e shpërfaqen në një pozicion idilik të kumtimit të trupave dhe hireve, përplot vezullim dhe pasion, në një mishërim të dashurisë së përjetshme dhe bukurisë së pranverës. Aty, përthyhen vështrime dhe ngërthehen buzë, pasione krahëflakëruar zbresin qiellin në këtë gurëzim të momentit etern.
Vepra është një përmbajtje e qartë e shprehjes emocionale, që reflekton ndikimin e temave të Rodinit mbi dashurinë, pasionin dhe natyrën njerëzore. Dhe e gjitha kjo udhëtoi nga mermeri në bronz, nga fluiditeti te një kontrast i thellë mes materialit të ngurtë, lëvizjes së lirë dhe shprehjes së parezistueshme të përfshirjes dhe përjetimit.
Skulptura mendohet të jetë frymëzuar nga marrëdhënia e Rodinit me Camille Claudel, e cila ishte jo vetëm nxënëse, por edhe e dashura e tij zemërthyer, fundi i trishtë i së cilës mbetet jashtë këtij përjetësimi artistik, larg, shumë larg asaj që atë zemër e atë kurm e drobiti fati i keq.
Në një qasje akademike të shtjellimit të veprës kam mirësinë të ndajë me ju se “Pranvera e përjetshme” simbolizon rigjenerimin, pasionin dhe fillimet e reja, duke evokuar ndjenjën e përhershme të dashurisë dhe energjisë rinore. Skulptura është vlerësuar për aftësinë e saj për të kapur lëvizjen dhe emocionin në një moment të ngrirë, të bërë të përjetshëm përmes artit.
“Pranvera e Përjetshme” është sot një nga veprat më të dashura të Rodinit dhe ndodhet në koleksione të ndryshme muzeale dhe private, duke përfshirë Musée Rodin në Paris. Ajo vazhdon të magjepsë adhuruesit e artit dhe të inspirojë artistët me bukurinë dhe ndjeshmërinë e saj.
Vepra u riprodhua disa herë në bronz dhe mermer. Një version mermeri që daton më 1901 u shit në ankand në maj 2016 për një rekord të atëhershëm 20 milionë dollarë.
Një nga versionet më të hershme të Rodinit, i derdhur më 1898 nga shkritorja e Alexis Rudier, i cili punoi drejtpërdrejt me Rodin, u ble në vitin 1913 nga Calouste Gulbenkian dhe sot është i disponueshëm për qasje publike në muzeun e tij. Një version i vitit 1884 tani është i ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Arteve Dekorative, i blerë kur pallati ishte një rezidencë private rreth vitit 1911.
Kjo ishte dhe është “Pranvera e Përjetshme” e Rodin, dhe kjo mbetet ajo që ti sheh dhe ndjen, ajo që të ngas dhe të tundon, të çon atje ku shkon zemërthyer dhe kthehesh buzë eshkur! Po, sepse është arti që e bën këtë që, ndjenja thotë me fjalë dhe e gdhend me daltën e pasionit në çdo buzë dhe puthje në çdo zemër dhe dashuri.