Nuk mbaron droga në kontejnerët e kompanisë ”Alba Exotic Fruit”, policia kap 7.25 kg kokainë
Një tjetër sasi lëndë narkotike kokaine është sekuestruar në kontenierët për llogari kompanisë “Alba Exotic Fruit”. Kjo kompani po thyen rekord në transportin e kokainës në vendin tonë.
”Në vijim të operacionit “Rada” të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, ku nga Task-Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, Strukturat Hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit u gjetën dhe u sekuestruan 11 kg e 675 gr lëndë narkotike kokainë, e duke vijuar përsëri në datën 23.07.2021, ku u gjetën dhe sekuestruan 6.5 kilogramë të tjera lëndë narkotike kokainë, mbaditen e sotme si rezultat i veprimeve hetimore, është bërë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i një tjetër sasie lëndë narkotike kokainë”,-informon Policia e Shtetit.
Gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit në disa kontenierë për llogari të kompanisë “Alba Exotic Fruit”, u gjet dhe u sekuestrua 7.25 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.
Më 13 korrik në Portin e Durrësit u gjetën dhe u sekuestruan 11 kg e 675, ndërsa 10 ditë më vonë, më 23 korrik u gjetën 6.5 kilogramë të tjera, të cilat ishin fshehur në kontejnerët e po të njëjtës kompani. Në total kompanisë i janë kapur 4 herë kokainë, sasia më e madhe në vitin 2019 në Pire të Greqisë ku iu gjetën 137 kg kokainë.