“Nuk ndodh as me Çavesin”, Duma: S’ka gjë më të pacipë se marrja e të dhënave personale të qytetarëve, vepër penale

Prokuroria e Posaçme ka nisur hetimet në lidhje me databazën e votave të Partisë Socialiste të publikuar në media.

SPAK do të sekuestrojë serverin e e-Albania për të krahasuar të dhënat me qëllim identifikimin e burimit ku janë marrë të dhënat personale të qytetarëve.

Kandidatja për deputete e PD-së në Tiranë, Grida Duma, thotë për Rtv Ora se kemi të bëjmë hapur me një vepër penale dhe në çdo shtet normal do të kishim dorëheqje në çdo nivel dhe nxjerrjen e përgjegjësive ligjore.

Duma: Edhe punonjës të Sigurimit të Shtetit janë aty. Është një tentativë e dëshpëruar nëpërmjet spiunazhit, informacionit. Nuk ka asgjë për tu shqetësuar se përmes informacionit do të mund të fitojnë votën apo jo. Që kjo përbën një vepër penale nuk ka diskutim, që kjo nuk do ti çojë drejt rezultatit që i ka çuar në këtë ankth sa të përfshihen kaq shumë njerëz në këtë vepër penale shumë të rëndë. Padiskutim që do të duhej të ishte dhënë dorëheqja në çdo nivel dhe do të duhej të ishte kërkuar përgjegjësia por nuk ekziston koncepti shtet në këtë vend më. Kanë marrë fund të gjitha po shumë pak ditë na ndajnë nga dita e ndryshimit. Nuk ka gjë më të dënueshme, më joliri, më të pacipë dhe të shpifur sesa të futesh në të dhënat e individëve. Nuk ndodh me Çavesin, por ndodh me këtë palo individ që kemi në krye të ekzekutivit.

Duke e konsideruar një ndërhyrje brutale të PS në privatësinë e gjithësecilit, Duma thotë se këto të dhëna janë marrë nga administrata në shërbime të ndryshme dhe më pas janë kthyer në lista partie.

Përtej nxjerrjes së përgjegjësive për këtë skandal, Duma thotë se kjo nuk do të ndikojë aspak në rezultatin zgjedhor të 25 prillit.

Duma: Ka shumë delir të madh, kanë vendosur nga një person që është në administratë. Është përfshirë e gjithë administrata si njerëz që marrin përsipër listat e tyre. Kjo nuk do të thotë që është lista e PS. Lista është dorëzuar nga halli, i kanë detyruar të bëjnë listën e tyre. Listat në fakt nuk janë lista që rakordojnë me realitetin. Ata kanë të dhënat e kartës së indentitetit, numrat e telefonit, por për bindjet politike vetë administrata është detyruar të gënjejë se ne i njohim me emër me mbiemër secilin në territorin e vet. Kjo nuk përbën asgjë sa i takon rezultatit, por duhet ndjekur deri në fund të gjithë njerëzit që janë përfshirë në të. Aty thuhet CENSUSI i 2013, CENSUSI real është ai i 2011, ai i bërë me BE. CENSUSI i 2013 është CENSUSI që kanë përdorur këta në institucionet e tyre. Kur kanë shkuar të ofrojnë një shërbim të energjisë elektrike apo diçka tjetër kanë marrë dhe të dhënat e individëve. Dhe këto të dhëna që i kanë vjelë nga administrata, diku për ujësjellësin, diku për energjinë, diku për ndihmën ekonomike, i kanë vjedhur dhe kthyer në lista partish. Është shumë e bezsisshme për njerëzit që i marrin në telefon dhe u dinë të dhënat. Është  një zhveshje e gjithë privatësisë së tyre dhe shqiptarët duhet ta kuptojnë si hapin e fundit të pacipësisë.

Sekretari i Përgjithëm i PS, Taulant Balla, në një reagim hodhi poshtë akuzat e PD, duke thënë se Partia Socialiste ka databazën e saj të të dhënave të krijuar me vite të tëra organizimi dhe komunikimi derë më derë me njerëzit. Lidhur me këtë, Grida Duma ka këtë koment.

Duma: Çfarë regjistrash mund të ketë një parti politike, se nuk e kam dëgjuar se çfarë ka thënë. Kjo është tu vësh këmbën në fyt njerëzve në privatësi, ekonomi, varfëri dhe thotë kam gjithë kohën që u kam vënë këmbën në fyt. Kjo do të thotë që ka prej kohësh që i vjedh?! Ka vend në botë që pranon që një parti politike të ketë kartat e identitetit të gjithë popullatës, jo strukturës së vet. Ka ata që i quan të PD, ka ata që i quan të lëkundur, ka ata që i quan të PS. Ne nuk i kërkojmë kurrë kartën e identetit strukturës. Karta e identetit përdoret për bankë, kartë shëndeti, karta e identitetit është e fundit që mund të japë një individ në shumë mirëbesim. Ne nuk ja kërkojmë strukturës së partisë tonë kartën e identitetit dhe atë që e kemi anëtarësi prej vitesh. Të ketë një parti kartat e identitetit të gjithë popullatës është të marrë institucionin e shtetit dhe ta futësh në xhepin personal të partisë.Ka sens kjo? Kaq shumë kanë dalë nga realiteti dhe kaq shumë nuk e kuptojnë që janë duke pohuar krimet që po bëjnë, nuk e kuptojnë që po i bëjnë dëm vetes. Ata po pohojnë rrënimin e Shqipërisë.

SHKARKO APP