Nuk plotësohet trupa gjykuese, vijon shtyrja e seancave për Emiljano Shullazin
Vijon shtyrja e seancave për Emiljano Shullazin, ndërsa shkak për këtë gjatë ditës së sotme është bërë fakti që trupa gjykuese ishte e paplotë.
Në seancë ishte vetëm gjyqtarja Albana Boksi, ndërkohë që Këshilli i Lartë Gjyësor nuk ka dërguar informacion për tre anëtarët e tjerë që do të jenë pjesë e trupës gjykuese. Shullazi ka apeluar vendimin e Krimeve të Rënda në GJKKO.
Kujtojmë se Shullazi është dënuar me 14 vite burg nga ana e Gjykatës së Krimeve të Rënda, vendim me të cilin ai nuk ka rënë dakord asnjëherë.
Shullazi është dënuar me 12 vjet për akuzën “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie në dëm të shtetasit Ylvi Beqaj”, 10 vjet burg për “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie në dëm të shtetasit Jani Zaka, kryer në bashkëpunim”, dhe në zbatim të nenit 55 të Kodit Penal, për caktimin e dënimit për disa vepra penale, i pandehuri Emiljano Shullazi dënohet me një burgim të vetëm prej 14 vitesh burgim.
Nga ana tjetër Shullazi u shpall i pafajshëm për shkatërrimin e pronës me eksploziv në dëm të shtetasit Jani Zaka, i pafajshëm për shtrëngim të dhënies së pasurisë për shtetasin Adriatik Kërçuku, pasi nuk provohet fajësia e tij, i pafajshëm për shkatërrimin e pronës me eksploziv në dëm të shtetasit Adriatik Kërçuku.
Po ashtu Gjykata shpalli të pafajshëm Shullazin për veprën penale të kanosjes për shkak të detyrës për shtetasin Mynyr Koni, pasi nuk provohet fajësia e tij.