Nuk u shemb TEATRI. U shembe TI. Zoti na ndihmoftë të dalim nga errësira
Nga Romir Zalla
Mbaroi. Kaq ishte.
Nuk u shemb TEATRI.
U shembe TI.
Nuk shembën një godinë.
Shembën dinjitetin tonë.
Ti tani je një zero pa identitet.
Në 100 vjet shtet kemi kaq pak për të ruajtur ku të kthejmë kokën e të shihemi në pasqyrë kush kemi qenë. Pasqyra u thye.
Në 80 vjet jetë të saj, kjo godinë na mëson shumë, qoftë edhe me shembjen e saj “gërmadhash”.
Gërmadhat e kujt.
Gërmadhat e elitës.
20 vitet e para na tregoi se si elita e kohës ngriti aty një tempull kulture.
Esnafët e kohës, shqiptarët e kohës e falën atë truall në bash të vendit për KULTURËN.
Dhe për 20 vjetët e parë ata ishin aty dhe e zhvilluan dhe e çuan më tej.
Kur erdhën në pushtet kolera me opinga në atë vend e gjykuan, vranë, pushkatuan, varën, internuan kë?
Elitën.
60 vitet e tjera elita e re bëri epokë dhe ripërtëriu po në atë vend teatrin, arsimin, muzikën, akademizmin, sportin…
Sot gjithçka u shumëzua me zero … nga elita në radhë të parë.
E populli????
Tifozë të përjetshëm.
U afrua kurioz dhe nuk foli kurrë.
Ata pak qytetarë të ndershëm të paktën folën.
Kaq kishim mundësi.
Po vërtetë më shqetëson fakti që jemi thjesht kalimtarë kur shembet vetëdija, identiteti, dinjiteti, ndershmëria jonë.
Jemi popull turist.
Kurrë nuk kemi dashur të ngulemi, por veç të arratisemi nga përgjegjësia, qytetaria, ndërgjegjja jonë e molepsur.
Bëfshi gjumë të ëmbël.
Zoti na faltë.
Zoti na ndihmoftë të dalim nga errësira.
AMIN