Nuk zbatuan masat anti-COVID, gjobiten 1124 qytetarë

Policia e Shtetit ka gjobitur 1124 persona që nuk zbatuan masat anti-COVID, gjatë 24 orëve të fundit.

Patrullat e Përgjithshme kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative 3.000 lekë, 916 shtetas që janë konstatuar pa maskat mbrojtëse.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ndëshkuar me të njëjtën masë administrative, 187 shtetas që udhëtonin në mjete private me persona me të cilët nuk kishin lidhje familjare apo në mjetet e transportit publik, pa vendosur maskat mbrojtëse.

Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë, 6 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative dhe janë lënë të lirë.

Për administratorët e 6 subjekteve që janë konstatuar duke ushtruar aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë është vendosur masa administrative 1.000.000 lekë.

Gjithashtu, në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 15 shtetas që janë konstatuar duke lëvizur në këmbë pas orës 20:00.

SHKARKO APP