Numër rekord, regjistrohen për herë të parë në Shqipëri rreth 100 mijë automjete
Viti 2024 ka shënuar numrin më të lartë të automjeteve që janë regjistruar ndonjëherë në vend, pjesa më e madhe e të cilave ishin autovetura.
Sipas statistikave të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Transportit Rrugor, për periudhën janar-dhjetor janë regjistruar për herë të parë gjithsej 99.4 mijë automjete, nga të cilat 83.2 mijë, ose 84% ishin autovetura.
Në krahasim me vitin e mëparshëm, regjistrimet e reja në total janë rritur me 27%, ndërsa ato të autoveturave me 26%.
Në total, në vend, deri në fund të 6 mujorit të parë të vitit 2024 kishte në qarkullim gjithsej 915 mijë mjete, nga të cilat 738 mijë janë autovetura.
Teksa përdorimi i mjeteve po rritet me shpejtësi, sërish po importohen makina të vjetra dhe me naftë, që janë një shkaktar i ndotjes së ambientit.
Sipas të dhënave të DPSHTRR-së, në 2024-n, rreth 53% e automjeteve të regjistruara ishin 9-15 vjet të vjetra dhe 26% ishin mbi 15 vjet të vjetra. Vetëm 12% ishin deri në 4 vjet të vjetra.
63% e mjeteve të reja ishin me naftë dhe 23% me benzinë. Automjetet elektrike zinin vetëm 3.1% të totalit të mjeteve të importuara.
Flota e autoveturave vijon të jetë e vjetër. Nga 738 mijë vetura që kishte gjithsej në qarkullim deri në qershor 2024, rreth 73% e tyre janë më të vjetra se 15 vite dhe 20% kanë një vit prodhimi nga 9-15 vjet.
Vetëm 3% e stokut të veturave në vend janë më të reja sesa katër vjet.
“Zbulimi” i Koresë së Jugut nxiti rritjen rekord
Të dhënat e detajuara nga DPSHTRR tregojnë se prej dy vitesh ka një rritje të ndjeshme të importeve të mjeteve nga Koreja e Jugut. Në dy vjet (2023-2024) nga ky shtet janë importuar dhe dalë në qarkullim të paktën rreth 27 mjete.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme Shërbimit të Transportit Rrugor (DPSHTRR), në 2024-n u regjistruan për herë të parë 18.8 mijë automjete që kishin origjinën nga Koreja e Jugut, duke kaluar në shtetin më të madh importues, me 19% të totalit.
Në krahasim me vitin 2024, mjetet nga Koreja e Jugut, mëse u dyfishuan, me një rritje prej 124%. Dy vjet më parë nga ky shtet blerjet ishin minimale me rreth 1.2-1.5 mijë mjete në vit.
Më parë, dy shtetet nga importoheshin më shumë mjete ishin Italia dhe Gjermania. Por, nga 2023-shi, shqiptarët kanë zbuluar një destinacion të ri, që ofronte makina më ekonomike, pavarësisht kostove më të larta të transportit./Monitor