Nuredin Dumani, një Tomasso Buschetta shqiptar?
Nga: Ylli Pata
Që në orët e para të mëngjesit të së enjtes, në mediat shqiptare u përhapën lajme se SPAK ka prerë 32 arreste ”VIP”-ave të krimit shqiptarë, si pjesë e një superoperacioni antimafie. Ishte e çuditshme, që ndërsa operacioni ishte në zhvillim e sipër, përmendeshin emrat e atyre të cilëve gjykata i kishte prerë fletëarrestet, e kështu pritej krejt natyrshëm që ai që shikonte emrin e vet në televizion apo telefon, t’ja mbathte sa sytë këmbët.
E prej 24 orësh kemi thuajse të zbardhur, apo më mirë të themi të kopjuar direkt dosjen hetimore, që ka rezultuar të jetë një bombë e vërtetë. Një rrëfim i hollësishëm i dy prej killerave më famëkeq të viteve të fundit: Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj, që flet për disa nga ngjarjet më të tmerrshme kriminale të ndodhura në Shqipëri, dy tre vitet e fundit. E ku përmenden disa nga “figurat” më të njohura të nëntokës së krimit shqiptar.
Siç ndodh në këto raste, i penduari, pra ai që vendos të bëhet dëshmitar ligjor i drejtësisë, në këmbim të zbutjeve penale që ofron ligji, tërhiqet në momentin më ekstrem apo pa zgjidhje të “aktivitetit” të tij. Një i penduar, bëhet një person që nuk ka asnjë rrugë tjetër zgjidhje, pasi përndryshe do të vijonte aktivitetin në botën e nëntokës siç ka bërë në të shkuarën. Edhe Dumani, ka folur që në ditën e parë e arrestimit të tij muajin e shkuar kur u arrestua në Fier.
Një operacion spektakolar i nisur nga Drejtoria e Policisë së Elbasanit, më 29 mars, ku siç duket me një intuitë dedektive tepër të fortë, ka vepruar menjëherë sapo ka marrë vesh për shkëmbimin e zjarrit në kthesën e Cërrikut ku është plagosur Nuredin Dumani.
Nëse Dumani dhe Hoxhaj nuk do të tërhiqeshin menjëherë në momentin e arrestimit si bashkëpunëtorë, ka gjasa që gjithçka të dështonte, pasi përgjithësisht kështu ndodh në këto raste. Fiton ai që ka me vete faktorin kohë, nëse kalojnë sa më shumë minutat apo orët, mundësia për të arritur sukses shkon drejt zeros.
Të nesërmen e arrestimit të Dumanit, ka sërish një “triller” që u shoqëria nga lajmet e shpërndara, ku u hodh mundësia e pendimit të killerit më të njohur të momentit në Shqipëri. Një dalje informacioni që normalisht dëmton në procesin hetimor. Gjithsesi, meqe kemi të bëjmë përveçse me një operacion të rëndësishëm antikrim, por edhe një histori që tërheq publikun që shikohet nga audienca e rrëfimeve nga kjo ngjarje, shkon si tangente analogjia e Nuredin Dumanit, me të penduarin më të famshëm të botës, siçilianin Tomasso Buschetta.
Bushçetta, i arrestuar në Brazil për trafik droge në vitin 1983, një vit më pas pranoi të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë. Një operacion që ka një bashkëautorësi prej Prokurorisë Antimafia të Palermos dhe asaj të New York-ut. Tre miqtë e ngushtë: Giovani Falcone, Rudy Giuliani dhe Louis Freah, që hetonin prej vitesh Cosa Nostra-n e Palermos dhe të New York-ut, arritën të kuptonin se një i penduar do të ishte kyçi për të çuar në gjyq bosët e mëdhenj të mafias më famëkeqe në botë.
Buschetta pranoi të rrëfehet vetëm nëse atë e pyeste vetë Giovani Falcone. Personi tjetër që ka mbajtur kontakt me të, ka qenë Gianni di Genaro, një oficer me integritet policie, i cili kishte punuar ngushtësisht me Falconen në disa hetime ndaj Cosa Nostra-s. Di Genaro, arriti të bindë Buschetta-n gjatë rrugës me avion se nuk kishte rrugë tjetër përveç bashkëpunimit.
Tommaso Buschetta-s, krerët e Cosa Nostra-s siçiliane të atyre viteve, e që ishin korleonezët e Totto Riina-s i kishin vrarë e masakruar thuajse të gjithë familjen e tij. I penduari më i rëndësishëm i të gjitha kohërave foli përpara Giovani Falconne-s në një sallë të vogël kazerme të Carabinieri-së italiane për 45 ditë rresht nga mbi 10 orë në ditë. Shënimet përveç stenografit i ka marrë edhe vetë Falcone, i cili i ka ruajtur deponimet me një fshehtësi të madhe. Me ato deponime, Buschetta ka rrëfyer 40 vjet nga jeta gjakatare e mafia-s më të fuqishme në botë, Cosa Nostra-s siçiliane.
Me atë deponim, u arrit të bëhej “Maxiprocesso i Palermo-s”, ku në një sallë, në një dosje, në një trup gjykues, u gjykuan dhe dënuan 475 mafiozë, përfshirë edhe të gjithë krerët e Komisionit të Cosa Nostra-s, përkatësisht bordit drejtues së mafias që kontrollonte miliarda dollarë.
Përveç krerëve të Komisionit të Palermo-s, Buschetta, ndihmoi për operacionin e famshëm Pizza Conections në New York, ku prokurorët Giuliani dhe Freah arritën të arrestojnë krerët e Cosa Nostra-s në SHBA, e cila për 4 vjet kishte futur në Amerikë 1.65 miliard dollarë heroinë nga Azia. Dëshmitë e të penduarit treguan mekanizmin, mënyrat, emrat, investimet dhe lidhjet politike të mafia-s italiane, që provokuan më pas uraganin e tmerrshëm, i cili solli edhe vrasjen e vetë Giovani Falcone-s dhe bashkëpunëtorit të tij më të ngushtë Paolo Borselino-s, por edhe arrestimin e Toto Riinas, Bernardo Provenzanos- dhe krerëve të tjerë të Cosa Nostra-s, si dhe një numri të madh kolonelësh, ushtarësh e ndihmësve të mafia-s, por edhe politikanë, zyrtarë e nëpunës, oficerë policie, ushtrie dhe punonjës të shërbimeve sekrete italiane.
Falcone e Borselino, nuk kishin një ambjent miqësor si në gjyqësorin Italian apo në qeverisjen e vendit. Përkundrazi i kanë kundërshtuar e luftuar, por ata arritën të bindnin përveç të tjerave edhe publikun që Italia duhej të ndahej nga krimi i organizuar. Vetë Falcone shkonte shpesh në shkolla e universitete për të folur me të rinjtë, ku i shpegoi se të jesh mafioz nuk është jo vetëm një “zanat” i ndershëm, por as i leverdisshëm, pasi përfundimi nuk është i mirë as edhe për ata që fitojnë më shumë e janë krerë të organizatës.
Siç e vërtetoi edhe fati i Nuredin Dumanit, i cili për disa vite u kthye në mit, konsiderohej si “fantazma” e krimit që vriste këdo kishte në objektiv sipas pagesës. Dumani, apo edhe Hoxha, e dinin se ç’fat i priste, por ka diçka që i ka bindur ata që të bëheshin të penduar. Dhe të rrëfenin menjëherë vetëm një pjesë të kapitullit të madh të “ferrit” që kanë administruar. Nuk do të pendoheshin asnjëherë nëse në drejtësinë shqiptare nuk do të kishte një “erë të re” që u nis nga reforma në drejtësi, e cila ka nxjerrë SPAK.
Krimi ka intuitën më të fortë për të nuhatur çka ndodh brenda prokurorisë dhe policisë. Operaionet e zhvilluara kohët e fundit, edhe në bashkëpunim të ngushtë me DIA-n italiane dhe Europol-in ku janë kapur kapo të rëndësishëm të narkotrafikut, janë natyrisht shembuj që e ngulfatin mafia-n që të kenë frikë reagimin e shtetit. Tashmë është bërë publike bllokimi në të shkuarën për të tërhequr në bashkëpunim njerëz nga krimi. Është publikuar deklarata e një të penduari të rëndësishëm që ka thënë se ai donte të bashkëpunonte që herët, por atë e ka ndaluar ish-prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla. Letra e të cilit drejtuar prokurorëve që të mos e pranonin bashkëpunimin e tij është edhe zyrtare.
Megjithatë, duket se rrëfimet e Nuredin Dumanit, janë vetëm maja e ajsbergut. Meqë ai ka pranuar të dëshmojë, le të tregojë të gjitha talpat e krimit brenda policisë, strukturave të shtetit, apo edhe në sfera të tjera të pushtetit e politikës. Paratë, investimet lëvizjet monetare e infrastrukturore të kapitaleve miliardëshe të narkotrafikut, janë natyrisht ai “hop cilësor” që do ta bënte Dumanin një “Buschetta”. Por për të ardhur në këtë pikë, natyrisht që nuk do t’I vijnë në kokë “idetë” vetvetiu të penduarit të krimit, kërkon t’i bëhen pyetjet e duhura, e në mënyrën e duhur…
Siç po shikojmë nga dosja e publikuar këto ditë, ka të dhëna të forta që bashkëpunëtorët e drejtësisë janë vrarë e masakruar në të shkaurën pa asnjë mëshirë, edhe kur kanë qenë gra, kurse policia e drejtësia nuk ka luajtur as gishtin e vogël. Vetëm kaq nuk është pak si model i parë i funksionimit të reformës në drejtësi, që kaq shumë është penguar e sulmohet vazhdimisht…/ Gazeta “Tema”