Nxitja e pagesave elektronike – BSH heq komisionet për transfertat deri në 20 mijë lekë

Banka e Shqipërisë vendosi të mërkurën heqjen përfundimtare të komisioneve për të gjitha pagesat elektronike kombëtare deri në shumën e 20 mijë lekëve. Për shumat mbi 20 mijë lekë, komisionet e transfertave që kryhen përmes internet banking ose kanaleve të tjerë elektronikë nuk duhet të jetë më shumë se 50% e komisionit të aplikuar për transfertat bankare që kryhen në formë letër. Kjo nënkupton se, për të gjitha transfertat elektronike në lekë, komisionet duhet të jenë të paktën 50% më të lirë në raport me komisionet e aplikuara për transfertat që kryhen fizikisht në mjediset e bankave. Rregullorja është e vlefshme për të gjitha pagesat kombëtare në lekë, që procesohen përmes sistemeve të pagesave të administruara nga Banka e Shqipërisë. Këto ndryshime synojnë mbështetjen e klientëve të bankave dhe minimizimin e kostove për ta, në linjë me objektivat e Bankës Qendrore për reduktimin e parasë fizike në ekonomi.

Në muajin prill, Banka e Shqipërisë vendosi të heqë përkohësisht komisionet për të gjitha transfertat ndërbankare në lekë deri në fund të qershorit, për të lehtësuar pagesat në kushtet e gjendjes së pandemisë.

Rregullorja e miratuar të mërkurën vendos rregulla të reja, në mënyrë të përhershme, duke nxitur aplikimin më të gjerë të pagesave elektronike nga shqiptarët. Të gjithë pagesat e vogla, përfshi pagesën e faturave utilitare apo blerjeve konsumatore, mund të bëhen me internet banking ose me kartë bankare, pa asnjë kosto shtesë. Edhe për transfertat në vlerë më të madhe se 20 mijë lekë rregullorja e re privilegjon qartësisht instrumentet elektronike, që do të jenë 50% më të lira në raport me transfertat që kryhen fizikisht në mjediset e bankave.

Por, ndryshimet e sotme kanë edhe një rëndësi të madhe në perspektivë. Banka e Shqipërisë po punon për një sistem kombëtar të pagesave të çastit ose instant payment. Me këtë sistem, shqiptarët do të mund të kryejnë pagesa të çastit edhe përmes telefonit celular. Heqja e komisioneve do ta bëjë më të thjeshtë që blerjet e vogla të mund të kryhen shumë thjesht përmes telefonit, praktikë kjo gjithnjë e më e përdorur në ekonomitë e zhvilluara.

/ SCAN

SHKARKO APP