“Nxori pistoletën përballë bandave”, Karamuço: Skënder Hita figurë me integritet
I ftuar në “Now me Erla Mëhillin”, eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço, foli për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Ai e vlerësoi atë si një person me integritet dhe dinjitet të lartë ndërsa theksoi se Hita ka treguar qëndrueshmëri përballë presionit të krimit, duke u përballuar situata të vështira edhe kur kolegët e tij nuk kishin rezistuar ndaj kërcënimeve dhe shantazheve.
Karamuço solli edhe disa raste konkrete ku Hita kishte treguar guxim dhe profesionalizëm, duke mos u përkulur para ndikimeve të jashtme dhe duke ruajtur standardet e larta të efektivit të policisë ndërsa e cilësoi këtë këtë përvojë të Hitës si një dëshmi të integritetit të tij dhe e aftësisë për të udhëhequr një institucion kaq të rëndësishëm si Policia e Shtetit.
Eksperti vuri në dukje gjithashtu marrëdhëniet e mira të Hitës me SPAK-un dhe agjenci të tjera si dhe faktin që gjatë karrierës së tij nuk është përmendur asnjëherë për lidhje me bandat dhe krimin duke theksuar se këto elemente e bëjnë atë një drejtues të besueshëm për Policinë e Shtetit.
“Ky drejtor, unë do flas për eksperiencën që ka pasur dhe çfarë është përballur, është nga njerëzit që ka pasur rezultate shumë të larta. Në shportën e drejtuesve në pesë vitet e fundit, ka qenë një nga drejtuesit që evidentohej si drejtori i ardhshëm i Policisë së Shtetit. Ka marrë pjesë tre herë në garë për Drejtor të Përgjithshëm. Herën e parë kandidoi me shumë dëshirë, por pati intriga, presione indirekte, madje në atë kohë humbi edhe babain dhe pësoi një tronditje të madhe. Herën e dytë, para një viti e pak, nuk donte për shkak të asaj që kishte ndodhur, ishte një sforco e madhe. U bind nga ministri i Brendshëm i asaj kohe, Ervin Hoxha, i cili i tha të futej në garë sepse ishte një person që manifeston vlerat e një polici të suksesshëm, me meritokraci, jo me politikë, as me banda. Ai doli i pari me pikë. Ligji e lejon që nga tre më të mirët ministri të propozojë njërin dhe u propozua dikush tjetër. Herën e tretë fitoi. Pra është një ecuri, ka një rrjedhë logjike. Ky person, në portofolin e vet, ka 25 vite karrierë. Indikatorët që kam unë tregojnë se ka ndjekur linjën kriminale: o do përballesh, o do blihesh, o do shitesh. Është njeriu që nuk është përfolur kurrë për lidhje me banda. Kjo ka qenë edhe kriza e opozitës sot, nuk e lidh dot me asnjë bandë. Ky është njeri i linjës së policisë kriminale. Ka nxjerrë dy herë armën nga brezi. Njëherë kur ka qenë drejtor i Policisë në Durrës, kur një bandë e madhe shkoi për të liruar një të arrestuar. Ata thanë ‘do ta nxjerrim’, dhe ai bashkë me nëndrejtorin nxorën armët dhe u thanë ‘hajde nxirreni’. Policët e tjerë u tërhoqën nga frika, situata ishte shumë e tensionuar, por ata qëndruan. Hera e dytë ka ndodhur në Fier, shumë vite më parë, në një përballje me një eksponent të rrezikshëm të krimit të organizuar. Nxorrën armët të dy, ‘o ti o unë, o shteti o krimi’. Edhe aty policët e tjerë u tërhoqën. Këto janë episode që unë i di nga raportet. Mbi të gjitha, ka edhe raportet e SHISH-it për vitet 2016-2017 dhe të tjera, ku nuk rezulton i përfshirë në çështje kanabisi apo aktivitete të tjera kriminale. Këto janë detaje që flasin për integritetin e tij. Ka një gjë shumë pozitive: ka marrëdhënie të jashtëzakonshme jo vetëm ndërpersonale, por edhe institucionale me SPAK-un. Ka edhe marrëdhënie shumë të mira me agjencitë ndërkombëtare që asistojnë në Shqipëri. Është trajnuar, është specializuar dhe është dekoruar disa herë. Pra kemi një figurë të papërlyer dhe nuk duhet ta baltosim kot. Ajo foto që doli me Altin Dumanin u përdor nga kanale të errëta për ta dëmtuar, por nuk ka lidhje me figura të krimit siç u përfol. Nuk ka dalë me persona të tillë. Përkundrazi, ka marrëdhënie institucionale me drejtësinë. Mos gjejmë kot një histori për ta baltosur. Me këto dy rastet që përmenda, ai ka treguar përballje. Aty duket Policia e Shtetit. Po ju jap edhe një rast tjetër. Një makinë e sekuestruar që thuhej ‘mos e prekni’. Ishte një presion i fortë. Por ajo makinë e konfiskuar u përdor nga vete Hita për të treguar që shteti është mbi individin. Këto janë elementë përballjeje që tregojnë integritet. Për mendimin tim, emri i tij duhet të kishte konsensus më të gjerë politik. Sepse kur ti baltos drejtuesin më të lartë të policisë, ti dëmton gjithë organizatën, 12 mijë punonjës”, tha Karamuço.
KOHA JONË SONDAZH

