Oficerët e sigurisë në shkolla? Në 2 vite s’janë plotësuar 150 gjimnaze
A janë ambiente të sigurta shkollat publike në Shqipëri? Nisur nga rasti i abuzimit seksual i së miturës nga mosha 12 deri në 15-vjeç nga ish-roja e shkollës ”Azen Hajdari” në Babrru, prindërit janë në merak për fëmijët e tyre. Më 1 qershor 2018, ish-ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla dhe ish-ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, nënshkruajnë një marrëveshje për shtrirjen e projektit të Oficerëve të Sigurisë në të gjitha gjimnazet e vendit.
Oficerët në fjalë janë persona të trajnuar nga Akademia e Sigurisë për ruajtjen e sigurisë në shkollë dhe përreth saj. Pesë muaj pas marrëveshjes së dy ministrave, një vendim i Këshillit të Ministrave e kufizoi shtrirjen e oficerëve të sigurisë në vetëm 150 gjimnaze në vend. Dy vjet nga angazhimi shtetëror për garantimin e sigurisë në shkolla, Ministria e Arsimit nuk ka mundur të plotësojë me oficerë sigurie as këto 150 gjimnaze.
Referuar publikimeve në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit, thirrjet për aplikime për oficerët e sigurisë kanë nisur në dhjetor 2018 dhe procesi ende nuk ka përfunduar. Shpallja më e fundit për pozicione pune të lira për oficerë sigurie në shkollë është bërë këtë të hënë, më 1 qershor 2020.
Bëhet fjalë për 15 vende të lira në 12 zyra të ndryshme arsimore në vend, një prej të cilave në kryeqytet. Mes qëllimeve të shërbimit të sigurisë në shkolla është parandalimi i dukurive negative që në gjenezë, duke evidentuar dhe ndërmarrë hapa korrektues, në bashkëpunim me personelin mësimor, psikologun e shkollës dhe prindërit.