OFL çon letrat e pasurisë tek ”Ben Qimja” dhe tek i ”forti” i Lushnjes

Në ditën e pestë të aksionit Anti-KÇK-së, Operacioni Forca e Ligjit u ka nisur formularin dy të ”fortëve” të radhës, Saimir Taullait në Lushnje dhe Arben Isufajt, njohur ndryshe si ”Ben Qimja” banues në Fier. Këta shtetas duhet të përgjigjen me shkrim brenda një afati kohor 48-orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas përgjigjet e marra do t;i dërgohen SPAK-ut për ndjekje të mëtejshme.

Njoftim i plotë

Përshëndetje, Në vijim të operacionit Forca e Ligjit dhe në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:  S. T., banues në Lushnjë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim;  A. I., banues në Fier, i cili është nën hetim në Itali, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për ndjekje të mëtejshme. Të gjitha subjektet e Ligjit Special, pra të gjithë të dënuarit apo të akuzuarit gjatë 30 viteve të fundit, për krimet e parashikuara në këtë ligj, do të kalojnë sitën e provës së ligjshmërisë së pasurisë së tyre. Asnjë përjashtim nuk do të ketë dhe nuk mund të ketë dhe çdo përpjekje për të tjetërsuar ndërkohë pronën, duke përdorur familjarë apo të njohur, do të rëndojë të dyja palët. Kujtojmë se Ligji Special parashikon vlerësime dhe hetime specifike të pasurisë edhe për rrethin familjar të personave të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar e krime të rënda. Gjatë kësaj periudhe janë dërguar në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar materialet për shtetasit : A. H., L. H., G. F., G. M., A. D., M. B. dhe A. D. OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë. Falemiderit!

Kush është Saimir Taullau?

Në tetor të vitit 2017, atij iu bë një tjetër atentat, por sërish ai ka arritur të shpëtojë me vetëm një plumb. Saimir Taullau, njihet si një biznesmen në Lushnje, por aktivitetin e tij e ka zgjeruar edhe në Greqi dhe Itali. Familja Taullai njihet si rivale e fortë e Aldo Bares.

Kush është Ben Qimja?

Arben Isufaj ose”Ben Qimja” njihet si njeriu që është përballur disa herë me policinë, prokurorinë dhe gjykatat, ku akuzat kanë qenë për trafik ndërkombëtar droge heroinë dhe kokainë nga Holanda, etj, ndërsa tashmë është i lirë pasi pak vite më parë u rrëzua edhe kërkesa e Italisë për ekstradimin e tij drejt vendit fqinj për trafik kokaine. Disa herë ai është arrestuar në Shqipëri me sasi të mëdha marijuane, ndërsa ka pasur edhe përballje me policinë.

Formulari dorëzohet në SPAK, procedura si shkohet deri në sekuestro pasurie

Përgjigjet e marra prej tyre OFL, i dërgon në SPAK, ku brenda jo më shumë se 15 ditësh, duhet të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre. Sapo të bëjë këtë vlerësim, SPAK-u duhet t’i kërkojë Gjykatës Speciale masën e sekuestrimit për pasuritë e subjekteve dhe pas sekuestrimit, në jo më shumë se 6 muaj Gjykata Speciale duhet të vendosë për konfiskimin përfundimtar të tyre. Me marrjen e masës së sekuestros, çdo pronë e subjekteve do të administrohet nga agjencia e posaçme. Vetëm banesa mund të vazhdojë të përdoret për strehim, por nuk mund të shitet apo të jepet me qira nga subjekti. Të gjitha subjektet e Ligjit Special, pra të gjithë të dënuarit apo të akuzuarit gjatë 30 viteve të fundit, për krimet e parashikuara në këtë ligj, do të kalojnë sitën e provës së ligjshmërisë së pasurisë së tyre. Asnjë përjashtim nuk do të ketë dhe nuk mund të ketë dhe çdo përpjekje për të tjetërsuar ndërkohë pronën, duke përdorur familjarë apo të njohur, do të rëndojë të dyja palët. Kujtojmë se Ligji Special parashikon vlerësime dhe hetime specifike të pasurisë edhe për rrethin familjar të personave të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar e krime të rënda.

SHKARKO APP