OFL kërkesë Ervis Martinajt: Justifiko pasurinë

Ervis Martinaj ka 48 orë nga sot, për të vetëdeklaruar pasurinë së bashku me argumentet dhe burimin e tyre, për t’u futur më pas në ”sitën” e Operacionit Forca e Ligjit dhe më tej SPAK-ut e Gjykatës të Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, nëse pasuritë e tij janë apo jo me burime të ligjshme apo me përfitime të ardhura nga bota e krimit. Bashkë me Martinajn, këtë të mërkurë, Operacioni “Forca e Ligjit” u ka dërguar me shkrim kërkesën për të bërë vetëdeklarim të pasurive edhe dy vëllezërve Arben dhe Valentino Kaçorri nga Tirana, të dënuar në Itali për vrasje dhe trafik të armëve.

Tre subjektet e OFL

Ervis Martinaj nga Kurbini në hetim vrasje me paramendim
Arben Kaçorri nga Tirana, i dënuar në Itali për vrasje
Valetino Kaçorri me banim në Tiranë, i dënuar në Itali vrasje trafik armësh

Ngjarja në Ish-Bllok

Ervis Martinaj, u arrestua për ngjarjen e 4 tetorit 2018 në zonën e ish-bllokut, ku edhe vetë ai mbeti i plagosur ndërsa miku i tij, Fabjol Gaxha, u vra, dhe u lirua pas shtatë muajsh në qelinë e burgut 302, në maj të vitit 2019, nga gjyqtari Artan Gjermeni, dhe një muaj më pas edhe me vendim të Gjykatës së Apelit që “vulosi” lirinë e tij kundrejt garancisë pasurore prej 50 milion lekë të vjetra.

Treshja e gjyqtarëve të Apelit Flutura Skënderi, Gramoz Levanaj dhe Artur Gaxha, vendosën që Martinaj të vijojë të qëndrojë i lirë gjatë fazës së hetimit dhe gjykimit të çështjes. Ndërkohë që prokurori i çështjes kishte kërkuar në gjykatë caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”.

Në maj 2019 Ervis Martinaj është liruar nga paraburgimi 302 në Tiranë pasi prokuroria nuk është në gjendje të mbajë për një kohë të gjatë të izoluar për shkak se akuza nuk kishte provat e mjaftueshme, që do të përligjnin mbajtjen e Martinaj në qeli. Këtë argument dha gjyqtari Artan Gjermeni, i cili në 3 maj 2019 vendosi të zëvendësojë masën e sigurimit për Martinaj nga “arrest në burg” në lirimin e tij kundrejt garancisë pasurore prej 50 milion lekë të vjetra. Momentalisht për ngjarjen në ish-bllok nuk ka asnjë person të arrestuar dhe që ndodhet në burg.

SHKARKO APP