OFL në Gjirokastër, i kërkon deklarimin e pasurisë vrasësit të efektivit Ibrahim Basha, ende i paarrestuar
Operacioni Forca e Ligjit u ka nisur sot kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë dy të dënuarve për vrasje në Përmet e Gjirokastër. Njëri prej tyre është Barjam Boci, i dënuari me burg përjetë në mungesë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasjen e efektivit Ibrahim Basha në Lazarat.
Në datën 24 qershor 2015, në fshatin Lazarat, Gjirokastër, gjatë një operacioni policor është vrarë me armë zjarri punonjësi i Policisë së Shtetit Ibrahim Basha si dhe janë plagosur punonjësit J. I. dhe P. H.
Barjam Boci ka qenë pjesë e grupit që ka qëlluar në drejtim të Policisë. Barjam Boci është dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda Tiranë, për veprat penale “Vrasja me dashje në rrethana cilësuese” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
OFL u kërkon deklarimin e pasurisë shtetasve si më poshtë:
-Përparim Muhameti, banues në Përmet, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”
Barjam Boci, banues në Gjirokastër, i dënuar për veprat penale “Organizata kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, e kryer në bashkëpunim dhe “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, në pesë raste.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.