Ogerta Manastirliu shpërndan çekun e bebeve të porsalindur në orët e para të Vitit 2022
Ministrja e Shendetsisë, Ogerta Manastirliu ishte e para që njoftoi publikun për lindjen e dy djemve në sekondat e para të këtij viti.
Ndërsa deri në orët e para të mëngjesit kanë lindur 12 djem dhe 2 vajza në dy maternitetet e Tiranës.
Në traditën e përvitshme, Ministrja Ogerta Manastirliu ishte mëngjesin e sotëm pranë fëmijëve të parë të vitit 2022, ku shpërndau çekun e bebes për të porsalindurit, me urimin që ky vit të jetë i shëndetshëm dhe i begatë për të gjithë shqiptarët.
“Viti 2022 do të jetë viti i fëmijëve, i zbatimit të politikave dhe programeve të reja për fëmijët tanë. Do të vijojmë programin e kujdesit neonatal me investimet në maternitetet e reja të Beratit, Kukësit, investimin madhor në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” si dhe në maternitetin Koço Gliozheni. Investimet tona nuk do të ndalen”, tha Manastirliu.
Me tej ministrja tha:
“Politikat për mirërritjen e fëmijëve do të jenë akoma më shumë pjesë e politikave të zhvillimit të gjithë sektorëve, ndaj ky vit do jetë viti i fëmijëve. Siç e ka deklaruar Kryeministri Edi Rama, ky vit do të hapë një erë të re për fëmijët, sa i përket programeve shkollore dhe jashtë shkollore për fëmijët, nga programet për kulturën, artin dhe zejen, tek programet e reja në teknologji dhe inovacion. Nga ana tjetër, në politikat e reja shëndetësore dhe sociale, çelim këtë vit programin e kujdesit të syve për 300 mijë fëmijë; programi i mbështetjes së fëmijëve pa kujdes prindëror me trefishimin e ndihmës ekonomike për fëmijët jetimë; dyfishimin e ndihmës ekonomike për familjet me tre fëmijë nën 18 vjeç”, tha Manastirliu.
Duke folur për programin universal të bonusit të bebeve, Manastirliu u shpreh:
“Janë më shumë se 115 mijë fëmijë që kanë përfituar nga programi i bonusit të bebes që prej vitit 2019. Vetëm këtë vit mbi 40 mijë fëmijë e kanë marrë bonusin dhe ky program që mbështet të porsalindurit, do të vijojë”.
KOHA JONË SONDAZH

