OKB dënon sulmet ndaj paqeruajtësve në Liban

– Vendet pjesëmarrëse në misionin e OKB-së në Liban kanë dënuar sulmet e fundit ndaj paqeruajtësve në një deklaratë dhe kanë kërkuar që ato të ndërpriten menjëherë.

Deklarata, e iniciuar dje nga përfaqësuesi polak në Kombet e Bashkuara dhe e nënshkruar nga 40 vende, vuri në dukje se Forcat e Përkohshme e OKB-së në Liban (UNIFIL) synojnë të sjellin stabilizim dhe paqe të qëndrueshme në Libanin e Jugut, si dhe në Lindjen e Mesme.

“Roli i UNIFIL-it është vendimtar, veçanërisht në dritën e situatës në rritje në rajon”, thuhet në deklaratë.

Deklarata nënshkruhet nga vende duke përfshirë Britaninë e Madhe, Francën, Italinë, Spanjën dhe Kinën, ndërsa Gjermania iu bashkua më vonë.

Izraeli dhe milicia libaneze e Hezbollahut kanë shkëmbyer zjarr në zonën kufitare që nga fillimi i luftës në Gazë një vit më parë.

Misioni vëzhgues i OKB-së po monitoron zonën, me pjesëmarrjen e 10 000 ushtarëve nga rreth 50 vende. Në ditët e fundit, ushtarë të OKB-së janë vrarë dhe plagosur në sulme të shumta.

“Palët në konflikt duhet të respektojnë praninë e të ashtuquajturave “Helmetat Blu” dhe të sigurojnë sigurinë e tyre në çdo kohë”, thanë nënshkruesit e deklaratës, duke shtuar se sulmet duhet të hetoheshin në mënyrë adekuate. //a.i/

SHKARKO APP