OKB: Erdogan po shkel rëndë Konventën Ndërkombëtare të të Drejtave Civile dhe Politike

Nga DTJ

Kritikat ndërkombëtare për qeverinë turke dhe burgosjet e panumërta nga ana e saj e qytetarëve turq po bëhen sa vjen e më të forta nga dita në ditë. Edhe rishtas kanë qenë të forta tensionet mes Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe regjimit të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan në Turqi . Ky tension u pasua edhe me një notë të ashpër nga radhët e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Grupi i Punës për Ndalimet Arbitrare i OKB ka vendosur që t’i klasifikojë aplikimet e bëra nga Turqia si “urgjente”. Ky rezultati i një analize tejet të gjatë të bërë nga grupi i punës, në të cilën shihet qartë që Turqia ka shkelur Konventën Ndërkombëtare të të Drejtave Civile dhe Politike në shumë raste. Madje, për këtë, grupi i punës i pati dërguar edhe një letër-kërkesë qeverisë turke në 10 nëntor 2020, në të cilën Ankarasë i kërkohej një përgjigje brenda një harku kohor prej dy muajsh. Pavarësisht kalimit të afatit, tashmë përgjigjja nga ana e Turqisë është publike.

Në shqyrtim janë marrë 43 arrestime pas tentativës për grusht shteti

Grupi i punës është ndalur veçanërisht në disa raste specifike, të cilat patën ndodhur menjëherë pas tentativës për grusht shteti e 15 korrikut 2016. Në të dyzet e tre rastet janë vërejtur shkelje të shumëfishta të Konventës së sipërpërmendur të të Drejtave Civile dhe Politike. Të gjithë këta qytetarë janë trajtuar me një sërë shkeljesh dhe padrejtësish gjatë proceseve gjyqësore të mbajtura kundër tyre, madje gjendja është cilësuar edhe më kritike si pasojë e ushtrimit të torturës dhe privimi nga e drejta e shprehjes.

Qeveria ka arrestuar akademikë dhe doktorë

Megjithëse është më se i qartë fakti se tentativa për grusht shteti u ndërmorr nga forca dhe fraksione të armatosura brenda radhëve të ushtrisë, në mënyrë krejt të pakuptueshme, menjëherë pas përpjekjes për grusht shteti, qeveria ka arrestuar një numër veçanërisht të madh akademikësh, doktorësh, gjyqtarësh dhe prokurorësh. Në të gjitha rastet këta persona janë shpallur të pandehur me akuzën se janë anëtarë të lëvizjes “Gylen”. Që nga dita e neutralizimit të tentativës për grusht shteti, katër e gjysmë vjet më parë, qeveria turke ka sulmuar lëvizjen ndërkombëtare rreth dijetarit mysliman, Fethullah Gylen, e quajtur ndryshe prej tyre si organizata terroriste “FETO”, duke i shpallur si fajtorët e tentativës për të rrëzuar qeverinë turke.

Mirëpo nuk ka asnjë fakt të qëndrueshëm

Sipas grupit të punës, në pjesën më të madhe të rasteve qeveria turke nuk kishte asnjë fakt në mbështetje të arrestimeve të ndërmarra. Në shumë prej këtyre rasteve, hapësirat private të banimit të të ndaluarve janë bastisur pa pasur një urdhër arresti apo leje për të bërë kërkim në banesat e të ndaluarve. Në raportin e grupit të punës të OKB thuhet se komunikimi mes të ndaluarve dhe përfaqësuesve të tyre ligjorë të mbrojtjes ka qenë i kufizuar, madje në disa raste edhe tërësisht i mohuar. Në vend të avokatëve të zgjedhur nga ata vetë, të ndaluarve nuk u është lejuar më shumë se sa një avokat i caktuar nga shteti. Pjesa dërrmuese e bisedave mes qytetarëve të arrestuar dhe avokatëve kanë qenë të regjistruara dhe shumë herë të burgosurve nuk u është dhënë as koha e mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen, çka përbën shkelje të Nenit 14 të Konventës Ndërkombëtare të të Drejtave Civile dhe Politike.

Abonimi në një gazetë, apo një llogari rrjedhëse në një bankë nuk janë prova të fajësisë

Një pikë interesante mbi të cilën është ndalur ky grup pune është edhe përgatitja e një liste me provat e pretenduara nga ana e qeverisë turke për sa i përket provimit të anëtarësisë në një organizatë terroriste të armatosur. Ndër to bëjnë pjesë edhe të qenët i abonuar në një organ shtypi të caktuar, siç është ish-e përditshmja turke “ZAMAN”, e cila ka pasur tirazhin më të lartë ndonjëherë në historinë e shtypit turk, apo të pasurit e një llogarie rrjedhëse në “BANK ASYA”. Jo vetëm kaq, por sipas raportit me dhjetëra mijëra vetë janë arrestuar për përdorim të një programi komunikimi në celular, i quajtur “ByLock”. Për qeverinë turke je terrorist edhe nëse ke dërguar ndonjë nga fëmijët në ndonjë prej institucioneve arsimore të lëvizjes “Gylen”. Por, – shprehet raporti. – asnjë nga këto akuza nuk provon praninë e ndonjë krimi në asnjë nga shtetet që kanë nënshkruar dhe njohin “Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike”.

Turqia i konsideron të gjitha këto pretendime si të pabaza

Përgjigjja e Turqisë, e cila daton në datën 16 dhjetor, fillon edhe kësaj radhe me një risjellje në kujtesë të tentativës për grusht shteti në vitin 2016. Që prej asaj kohe, ajo ngjarje tragjike për shoqërinë turke ka shërbyer vazhdimisht si një jelek shpëtimi për AKP (Partia për Drejtësi dhe Zhvillim). Sa herë që jepet mundësia, qeveria e Republikës së Turqisë e drejton vëmendjen te kjo datë. Dhe justifikimi i përhershëm, kur bëhet fjalë për shkelje të marrëveshjeve dhe konventave ndërkombëtare, është akuza se tentativën për grusht shteti e ndërmorri FETO, të cilët ishin infiltruar në institucionet publike në vend. Dhe ky justifikim ofrohet bashkë me arsyetimin se “fshirja” e kësaj organizate nga aparati i gjyqësorit, ushtria dhe të gjitha agjencitë e tjera shtetërore ishte një imperativ i integritetit të demokracisë turke. Veç kësaj, ironik është edhe fakti që sipas përgjigjes nga ana e Ankarasë zyrtare, të ndaluarit mund t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për çdo pretendim për shkelje të të drejtave.

SHKARKO APP