OKB, ministri Hasani flet për të rinjtë: Fuqizimi i tyre për të nesërme më të ndritshme
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, mori pjesë në takimin e formulës Arria të Këshillit të Sigurimit, ku theksoi rëndësinë e fuqizimit të të rinjve në jetën politike dhe jo vetëm. Ministri Hasani u shpreh se të rinjtë janë ata që preken të parët nga konfliktet, teksa nënvizoi se fuqizimi i të rinjve mbetet thelbësor për arritjen e pajtimit dhe ndërtimin e paqes në rajon.
“E vetmja mënyrë për të bërë përpara, t’u sigurojmë të rinjve hapësirën për veprim të përbashkët. Askush nuk është më i interesuar në projektimin e së ardhmes sesa rinia. Të rinjtë mund të kontribuojnë në promovimin e diversitetit dhe vlerave demokratike në rajon. Rinia shqiptare përfaqëson 30% e popullsisë, por 100% të ardhmen. Fuqizimi i rinisë, investimi më i mirë për një të nesërme më të ndritshme”, tha ai.
Takimi i bashkëorganizuar me Gjermaninë e Francën në kuadër të KS me temë “Fuqizimi i të rinjve për të trajtuar çështjet e pajtimit, paqes dhe stabilitetit: formësimi i një të nesërme më të ndritshme” ishte një mundësi e mirë për të pranishmit për të diskutuar format dhe mënyrat e fuqizimit të të rinjve.