Ols Cinxo, violinisti shqiptar që mahniti skenat e Ballkanit

Në thuajse të gjithë skenat e Ballkanit, emri i Ols Cinxos renditet në krah të artistëve më të mirë. Nga bankat e Akademisë së Arteve në Tiranë, rrugëtimi i tij ka vijuar në skenat e Sllovenisë, Turqisë, Malit të Zi, Sarajevës, Maqedonisë e deri në Austri. Momenti i parë me violinën ka qenë në moshën pesë vjeçare. Krejtësisht rastësisht, u gjend në klasat e violinës dhe më pas e vijoi këtë rrugëtim deri sot që flasim. Mjafton t’i hedhësh një sy CV-së së Olsit për të kuptuar se me talent, punë, përkushtim dhe vullnet arrihet lart. Cinxo është padyshim një instrumentist i talentuar që rrëmben çdo herë vlerësimet maksimale nga kritika dhe tërheq vëmendjen e audiencës.

Ai ka një karrierë 20-vjeçare të jashtëzakonshme jashtë vendit, e këtë e dëshmojnë më së miri, vlerësimet, lëvdatat nga emra të njohur të muzikës botërore. Vlen të theksojmë se 41-vjeçari luan gjithnjë solo, një dëshirë e kahershme e Cinxos. Në çdo prezantim violinisti shfaq një talent të ndërthurur me një teknikë të përkryer dhe aftësi artistike. Violinisti Cinxo ka performuar 12 vite në Slloveni në operën e Sarajevës, në filarmoninë e Malit të Zi, në operën e Samsunit në Turqi, por edhe në sallat më të famshme botërore.

Muajin e kaluar Cinxo u ngjit në skenën e Universitetit të Arteve ku dha koncert për publikun artdashës, i ftuar nga pianistja e njohur Silvana Skënderi. Ai zotëron disa gjuhë të huaja, si Anglisht, Italisht, Sllovenisht, Serbo-Kroatisht. Në një intervistë për Gazetën “Koha Jonë” ai rrëfen shkurtimisht se që në vegjëli ka qenë i përkushtuar ndaj violinës dhe suksesi vjen vetëm falë punës.

Intervista për  Gazetën “Koha Jonë”

Bisedoi: Jonida Halili

Përqasja juaj e parë me violinën ju ndodh në moshën 5 vjeçare. Shpeshherë instrumentistët për shkak të punës, që duhet të bënin gjatë fëmijërisë thonë se: “Nuk kanë kaluar fëmijëri”. Por, si e kujtoni ju atë periudhë?

Nuk kam patur aq kohë të lire krahasuar me moshatarët e tjerë, por kohën për argëtim dhe lojë e kam gjetur kryesisht gjatë fundjavave.

Pas përfundimit të shkollës fillore ju vazhduat shkollimin e mesëm? Çfarë mund të na thoni për atë kohë, përvojat tuaja? Ju kujtohen profesorët, miqtë e mikeshat, dhe me çfarë merreshit më së shumti në këtë kohë?

Periudha e liceut ishte e bukur dhe interesante. Në lice u takova me shokë që vinin nga shkolla të tjera të muzikës në Tiranë, por edhe nga rrethet. Konkurrenca me bashkëmoshatarët dhe kërkesa për arritje të sukseseve ishte më e madhe dhe më konkrete sesa në shkollën 8-vjeçare. Mësuesit i kujtoj të përkushtuar dhe të aftë në mësimdhënie. Në atë kohë jam marrë intensivisht me perfeksionimin në violinë.

Në Shqipëri, brezi i ri për fat të keq është më i prirur të besojë tek modelet që suksesi ndodh për arsye të çuditshme, rastësore, fati, etj, etj, dhe jo me punë. Si mund t’ua themi  që puna të bën?

Garancia më e madhe për arritjen e suksesit përpos talentit, është puna dhe përkushtimi konstant. Nga eksperienca personale falë përkushtimit të gjatë në violinë kam arritur pozicione pune të rëndësishme në karrierën e një muzikanti. Aktualisht jam pedagog i violinës në Universitetin “Hacettepe” të Ankarasë.

Ju keni kryer studime dhe specializime jashtë vendit, po ashtu keni performuar si profesionist në skenat e huaja. Sa e vështirë ka qenë kjo për ju?

Studimet jashtë vendit kanë ndikuar në mënyrë definitive në plotësimin tim si violinist profesionist. Ka qenë pak e vështirë mundësia për të luajtur në skenat e huaja, por puna e mire vlerësohet gjithmonë në lartësinë e duhur.

Duke bërë një retrospektivë nga koha që ju u larguat nga Shqipëria, edhe deri në momentet që në flasim, cilat janë ato momente më të suksesshme që mund të veçoni përsa i përket krijimtarisë suaj artistike?

Nga performancat e mija mund të veçoj në koncert si solist me orkestër në Shkup me rastin e 85-vjetorit të alfabetit shqip, një koncert në Zvicër me orkestër si solist bashkë me vëllain tim violinist.

Po shfaqja më emocionuese?

Një koncert si solist me orkestër në Turqi.

Çfarë është muzika për ju?

Muzika është mënyra më e mirë për të kënaqur publikun dhe veten time.

Cila është Muza juaj artistike? Violinisti juaj shqiptar apo i huaj i preferuar?

Për muzën artistike nuk do përgjigjem. Violinisti im i preferuar është Viktor Tretyakov.

Muaji e kaluar ju keni performuar në skenën e Universitetit të Arteve duke shënuar kështu rikthimin tuaj pas 20 vitesh mungesë. A lidhet ky rikthim me ndonjë projekt konkret?

Rikthimi im si solist lidhet me ftesën që pianistja Silva Skenderi më bëri për të luajtur së bashku për publikun shqiptar.

A keni ju ëndrra në sirtar?

Çdo kush ka ëndrra, njësoj edhe unë. Shpresoj të realizoj disa prej tyre.

Formimi artistik i Ols Cinxos

Ols Cinxo në vitin 1984 nisi shkollën 8-vjeçare “Dëshmorët e Lirisë”, për muzikë, dega violinë dhe e përfundoi me rezultate maksimale. Më pas në vitin 1992 Cinxo filloi shkollën e mesme të muzikës tek Liceu Artistik “Jordan Misja” për violinë, cikël të cilin e krye po me sukses, ashtu sikundër edhe Akademinë e Arteve, ku e përfundoi në vitin 2000. Më pas violinisti i talentuar nisi rrugëtimin e tij jashtë vendit, në Sarajevë pranë Akademisë së Muzikës dhe u diplomua në vitin 2016.

Shkolla e Muzikës, në fakt nuk është si degët e tjera, ku supozohet që ka një cikël disa-vjeçar, e më pas diplomimi është pasaporta për tu punësuar në degën që ke zgjedhur dhe jo vetëm. Me muzikën funksionon ndryshe. Muzika është si një bimë të cilën duhet ta ujisësh dhe të kujdesesh për të gjithë jetën. Këtë filozofi ka ndjekur edhe violinisti Cinxo, i cili nuk është ndalur në asnjë moment për të thelluar studimet për muzikë. Në vitin 2002-2006 ai kreu studimet e Perfeksionimit në violinë pranë profesorëve Pavel Vernikov dhe Igor Volochin në Portogruaro-Itali. Në vitin 2008 pas përfundimit me sukses të studimeve akademike në Master të Nivelit të Dytë pranë Akademisë së Muzikës Lubjanë, Cinxo fitoi titullin “Specialist Violinist. Një moment i artë në karrierën e Cinxos!

Veprimtaria artistike e Ols Cinxos

Ols Cinxo “rrëmbeu” çmimin e parë të konkursit për violinë në Prishtinë, në vitin 2004, ndërsa në Ohër zuri vendin e dytë në konkursin ndërkombëtar të violinës “Perlat e Ohrit”. Punën e parë si violinist e nisi në Sarajevë në Orkestrën Filharmonike,e më pas në 2000 u shpërngul në një tjetër vend, në Lubjanë të Sllovenisë në Orkestrën Simfonike të RTV. Prej vitit 2005 ai është anëtar i formacionit “Orkestra Kamertale e Solistëve Slloven” K.O.S.S. Po ashtu është koncert-mjeshtër i Orkestrës Simfonike të Malit të Zi-Podgoricë që prej viti 2013, e ndërkohë ai është po i angazhuar që prej 2016 sërish si koncert-mjeshtër i Orkestrës së Operas dhe Baletit në Samsun të Turqisë.  Aktualisht ai është pedagog i violinës në Konservatorin Shtetëror të “Hacettepe” në Ankara. Aktivitete të shumta të cilat veçse kompletojnë një artist.

Koncertet recitale dhe sofistike me emetimet nga Radio Evropiane

Në vitin 2000, koncert recital në Akademinë e Muzikës, Sarajevë. Në vitin 2002, koncert me kuartetin “Horizont”. Në 2003, koncert solo me Orkestrën Simfonike Rinore të Evropës Juglindore në sallën e “Teatrit Kombëtar”. Koncert solo me Orkestrën Simfonike të RTV në Slloveni. Koncert me kuartetin “Horizont”. Koncert me kuartetin “Horizont” në sallën Blu me rastin e ditëve botërorë të muzikës së re I.S.C.M, Slloveni. Koncert recital me rastin e Lumturimit të Nënë Terezës. Koncert Solo me Orkestrën e Filarmonisë së Maqedonisë në Shkup. Në vitin 2004 koncert solo me Orkestrën Simfonike të RTV në Slloveni. Koncert recital në Festivalin “Poletje v Stari Llubljani”. Në 2005 koncert solo me Orkestrën Simfonike të RTV. Koncert recital në Akademinë e Muzikës në Lubjanë. Koncert recital në sallën e Teatrit “Tone Cufar”. Koncert recital në Festivalin  “Ljubljanski Umentnik”. Në 2006 koncert solo me Orkestrën Simfonike Rinore të Evropës Juglindore në sallën e Teatrit te Operas dhe Baletit. Koncert me kuartetin “Sinestezis”. Koncert recital në sallën e Institutit Italian të Kulturës, J. Bragms, P.I.Tchaikovski, C.debussy, H, Weiniaësky. Në vitin 2007 koncert recital në sallën e Universitetit të Lubjanës. Koncert recital në sallën e institutit italian të Kulturës. Në 2008 koncert solo me Orkestrën Simfonike të RTV.  Koncert recital me rastin e Pavarësisë së Repubikës së Kosovës. Koncert recital në “Sallonin Blu”. Koncert recital më sallën e “Fuzine” në Slloveni. Më 28, 11, 2008 koncert recital për Pavarësinë e Shqipërisë. Në Vjenë, mbrëmje me Arie në Universitetin e Muzikës. Në 2009 koncert me kuartetin “Horizont” në kishën e Shën Martinit. Koncert i kuartetit të pianos në kapelen e Kështjellës së Pustalit. Koncert solo me Orkestrën “Solisti Internacionali” në kishën e  Shën Jakobit. Në vitin 2011 koncert solo me Orkestrën Simfonike të RTV. Në 2013, koncert në festivalin “A Tempo” me ansamblet e koreve malazeze në sallën e koncerteve të kulturës.  Koncert me ansamblet e koreve malazeze në sallën e teatrit Mbretërorë “Zetski Dom”. Koncert me ansamblet e koreve malazeze në sallën e koncerteve. Në 2014 koncert solo me Orkestrën Simfonike të Malit të Zi. Në vitin 2015 koncert me trion e pianos. 2016 koncert solo me Orkestrën e Operas dhe Baletit Samsun J.S.Bach- “Erbarme Dich”.

 

SHKARKO APP