Opera “Goca e Kaçanikut”, simbolika e guximit dhe sakrificës për atdheun, vjen në Tiranë
Opera “Goca e Kaçanikut” është padyshim një ngjarje artistike gjithëshqiptare, që kapërcen ndarjet dhe kufinjtë, jehon përmes kohërave dhe gjëmon në vlerat krijuese, bashkon shpirtin me trupin, për të kumbuar zëshëm në tempullin e madh të artit të madh të vlerave të mëdha përfaqësuese dhe konkurruese.
Në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare dhe bashkëpunimeve kulturore të vazhdueshme midis Shqipërisë dhe Kosovës, Opera e Kosovës sjell në TKOBAP premierën e saj historike, “Goca e Kaçanikut”, operën shqiptare të kompozuar nga maestro Rauf Dhomi.
Një histori dashurie, trimërie dhe lirie, e bazuar në novelën e Milto Sotir Guros e sjellë në jetë me regjinë e regjisorit Nikolin Gurakuqi.
Ky produksion vjen si një homazh për Festën e Flamurit, nga Orkestra dhe Kori i Operës së Kosovës dhe Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës, nën dirigjimin e maestros Edon Ramadani.
Një tjetër shfaqje që nuk duhet ta humbisni, më 25 nëntor, në Teatrin e Përjetimeve.
Opera “Goca e Kaçanikut” është një nga veprat më të rëndësishme të krijimtarisë muzikore shqiptare, e kompozuar nga Rauf Dhomi, një prej kompozitorëve më të shquar shqiptarë. Kjo opera është e njohur për trajtimin e tematikës historike dhe patriotike, duke përshkruar heroizmin dhe luftën për liri të popullit shqiptar.
Opera bazohet në ngjarje historike dhe legjendare që lidhen me qëndresën heroike të popullit shqiptar kundër pushtuesve osmanë. Personazhi qendror, Goca e Kaçanikut, përfaqëson simbolin e guximit dhe sakrificës për atdheun. Ajo është një heroinë që udhëheq me kurajo një grup burrash dhe grash në luftën për të mbrojtur qytetin e Kaçanikut.
Opera është një kombinim i fuqishëm i muzikës dramatike, lirizmit dhe elementeve tradicionale shqiptare. Ajo përmban këngë, korale dhe motive folklorike që reflektojnë pasurinë kulturore të kombit shqiptar.
“Goca e Kaçanikut” është interpretuar në skena të ndryshme në Shqipëri dhe Kosovë, duke u mirëpritur si nga publiku, ashtu edhe nga kritikët për mesazhin e fuqishëm dhe përfaqësimin e traditës shqiptare. Ajo mbetet një burim frymëzimi dhe krenarie për shqiptarët.
Albert Vataj