Operacioni “Shpirti”/ I penduari i drejtësisë: Duçellari kalonte i sigurt drogën në tokë e në det

Zbardhen pjesë nga dosja e operacionit “Shpirti”, që u finalizua me 38 urdhër-arreste, mes të cilëve prokurorë, zyrtarë të lartë policie, dy ish-shoqërues të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe persona të tjerë, të cilët ishin të implikuar në trafikun e sasive të mëdha të drogës. I penduari i drejtësisë tregon se si kreu i grupit kriminal shqiptar, Ilirjan Duçellari, arrinte të kalonte i qetë dhe i sigurt lëndën narkotike, si në rrugë tokësore, ashtu edhe në ato detare. Ai tregon se Duçellari kishte mbështetjen edhe të Zëvendës Drejtorit të Policisë Vendore të Policisë Vlorë Ilirjan Balla, si dhe të Oficerit të Policisë të Drejtorisë së Kufirit & Migracionit Vlorë, Festim Lelaj.

Të gjitha veprimet e lidhura me transportimin tokësor të lëndës narkotike, me ngarkimin e saj në mjetin lundrues dhe trafikimin e saj, kryheshin në praninë e dy punonjësve të policisë, të cilët garantonin kryerjen e trafikimit të lëndës narkotike për në Itali. Gjatë kësaj kohe, në sajë të lidhjeve që kishte me policinë drejtuesi i këtij grupi kriminal, “Lani” bënte të mundur fikjen për një orë të radarit që kontrollonte bregdetin dhe ujërat kombëtare, duke realizuar nisjen e mjetit lundrues të ngarkuar me lëndë narkotike në drejtim të Italisë dhe kthimin e tij bosh.

“Nga toka, Lani kishte persona të ndryshëm, po sidoqofte ishte armik me Drejtorin, ndërsa përsa i përket detit, Drejtorinë e Kufirit, ishte impenjuar një person me emrin Festim, qe unë e di se punon për policinë. Është një person i shëndoshë, me flokë të shkurtra, e di që ka nje lokal në rrugën ku është lokali i Lanit, e në atë periudhën vinte ke ne me nje Klas E, me ngjyrë gri, në 2005-2006. Ky ka ardhur disa herë, ka folur në tavolinën afër për të garantuar, për të siguruar pjesën e detit, e, me sa mbaj mend, nja dy herë ka ardhur bashke me nje person tjetër, që ka thene qe edhe ai ishte një që punonte në polici, ishin moshatar, me floke te bardha, me duket se quhej Gjergji, nëse nuk gaboj, e se ky Lani a Festim do t’i jepte 15.000 Euro për të siguruar pjesën e detit, e lekët i kam parë. Momenti në të cilin ia ka dorëzuar nuk e di, sepse për ngjarjen e 2015 une isha në Itali e siç kam thëne, nese nuk gaboj, ky Festimi, pasi Ilirjani është spostuar si Zevendes Drejtor në Dibër, me duket se edhe Festimin e kane spostuar gjithmone si Shefi Policise Komisariatit ne Diber”, ka rrëfyer i penduari i drejtësisë.

Marrë nga /Shqiptarja.com/

SHKARKO APP