Operatorët turistikë: Kemi anullime të shumta nga turistët e huaj. Shkak mbetet protesta!
Ditët e fundit operatorët turistikë dhe strukturat akomoduese kanë raportuar shqetësime dhe anulime rezervimesh nga turistë të huaj. Sipas kryetarit te operatorëve turistikë të jugut, Vasil Bedinaj, turistët kanë shprehur pasiguri për shkak të zhvillimeve të fundit në rajon, duke ngritur pikëpyetje për sigurinë e destinacionit.
Në një takim të përbashkët, operatorët turistik të jugut kërkuan shprehën keqardhje për protestat në kryeqytet, që sipas tyre, nuk dëmton vetëm turizimin, por një zinxhir të tërë ekonomik në vend.
“Çdo perceptim negativ që krijohet për destinacionin tonë ndikon drejtpërdrejt tek rezervimet dhe tek imazhi që kemi ndërtuar me shumë mund ndër vite. Ne e respektojmë plotësisht të drejtën e çdo qytetari për të protestuar dhe për t’u dëgjuar. Por gjykojmë se momenti i zgjedhur për këto zhvillime është problematik, pasi përkon me kulmin e sezonit turistik dhe potencialisht mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme ekonomike”, tha Vasil Bedinaj, kreu i operatorëve turistikë të jugut.
Turistët e huaj, që këto ditë vizitojnë Vlorën, kanë mendime të ndryshme për situatën dhe për protestën, që po zhvillohet prej dy javësh në Tiranë.
Turistët shprehen:
“Vij nga Polonia, kemi dëgjuar për protestën dhe do donim të ishim pjesë e saj. Jemi mësuar me protestën dhe nuk ndihemi aspak të riskuar për çka po ndodh këtu”.
“Jam polake dhe dëgjova për protestat ne Shqipëri pa u nisur, por kjo se ndryshoi vendimin tim për të ardhur, pikërisht kjo natyrë kaq e bukur nuk ma ndryshoi mendimin”.
“Si turistë, kjo situatë nuk na ka ndikuar drejtpërdrejt, megjithëse sigurisht që krijon një perceptim disi negativ për turizmin”.
Pavarësisht protestave, Shqipëria pritet të ketë një sezon turistik të mbarë dhe më të mirë se i vitit të kaluar, ku vendin e vizituan mbi 12 milionë turistë.
KOHA JONË SONDAZH

