Opozita “e dështuar” parlamentare, në 10 muaj vetëm 3 projektligje
Për më shumë se 9 muaj kuvendi zhvillon punimet me opozitën e re parlamentare. Por deri më tani deputetët e rinj janë shfaqur shumë pak në seanca, duke ia lënë përballjen vetëm një pjese të vogël prej tyre. Debatet me të forta janë ato për reformën zgjedhore ku tashmë është paraqitur dhe një nismë për ndryshimin e sistemit. Por ashtu janë propozuar dhe dy projektligje që kanë të bëjnë për ditët e festave zyrtare.
Me 21 shkurt të 2019 deputetët e PD bashkë me aleatët dorëzuan mandatet në Kuvend, në shenjë protestë kundër mazhorancës, me argumente se qeveria Rama është lidhur me krimin. Por skema e opozitës doli jashtë parashikimeve, pasi emrat e vendosur në listë nuk ju bindën urdhrit të partisë duke zënë karriget e lëna bosh.
Por çfarë të reje sollën deputetët e rinj të opozitës parlamentare?
Prej 10 muajsh pakica ka depozituar në Kuvend vetëm 3 projektligje, 2 prej tyre për të shpallur dy festa zyrtare. Ka qenë Myslim Murrizi, i cili ka kërkuar që 21 Janari, dita e Kongresit të Lushnjes, të vendoset ditë pushimi, por pavarësisht diskutimeve në komisione, ende mazhoranca është e dyzuar për ta çuar në Kuvend.
Një tjetër deputet i opozitës, Vasil Sterjovski ka depozituar në Kuvend draftin për shpalljen e datës 7 janar, pushim zyrtar, si dita e Krishtlindjeve sipas kalendarit Julian për pakicat kombëtare maqedonase, serbe dhe malazeze te besimit ortodoks. Kjo nisëm pritet të diskutohet në legjislacionin e ri të Kuvendit.
Në ditët e fundit të dhjetorit, sërish Murrizi ka depozituar në Kuvend propozimin për ndryshimin e sistemit, në proporcional kombëtar me lista të hapura. Edhe ky projekt do të caktohet nga Konferenca e Kryetarëve se kur do të nisë diskutimi në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore.
Në 10 muaj jetë parlamentare vetëm pak deputetë të opozitës së re parlamentare janë angazhuar në nismat dhe debatet parlamentare, por pa ndikuar në vendimmarrjen e mazhorancës aktuale