Opozita pa strategji dhe opozitarizmi saj
Nga Sadedin Çeliku/Të bërit opozitë kërkon strategji, objektiva, politika dhe njëherësh mençuri. Demokracia bazohet në konceptin e qeverisjes së shumicës mbi pakicën. Kjo demokraci është tipike për sistemet parlamentare dy ose më shumë partiake,ku fituesi dhe maxhoranca i marrin të gjitha dhe humbësi kalon në opozitë. Modelet më të përparuara në kohën e sotme janë ato anglo-amerikane.
Demokracitë nuk mund të transportohen,ato prodhohen dhe zhvillohen brenda një shoqërie përmes përkushtimit serioz të politikbërësve. Opozita shqiptare mund të jetë më e çuditshmja në llojin e vet, që me veprimet dhe opozitarimin e saj nuk ka asgjë të përbashkët me demokracinë e vërtetë. Në tetë vite qeverisje të opozitës sotme, korrupsioni e kishte fituar betejën me popullin, kjo për shkak se burimi kryesor i fenomenit vinte vertikal, pra qeveria dhe krerët e saj dhe lufta kundër korrupsionit kishte karakter thjesht formal e mediatik.
Opozita e sotme do mbahet mënd gjatë për ngjarjen e Gërdecit,për shpikjen e piramidave ose vjedhjen e parave të popullit,për vrasjen e katër fakirëve të pafajshëm më 21 janar, për vjedhjen e votave në zgjedhjet e vitit 1996, për ngjarjet e shëmtuara të vitit 1997, për mungesën e investimeve efektive, për koncensionimin e ekonomisë me bazë korrupsionin dhe konfliktin e interesit, e për shumë faje të tjera që në thelb përbëjnë shkelje të Kodit të Procedurës Penale e për rrjedhojë konsiderohen vepra penale.
Saliu e kishte zgjidhur thjesht të bërit opozitë. Baza e opozitarimit të Saliut ishin të çjerrat, britmat, shkatërrimet, shpifjet, presionet dhe akuzat pa baza juridike e morale. Të tilla opozita vështirë se i gjen në vendet e tjera të rajonit apo në Europë. Sidoqoftë duhet pranuar se edhe pse opozitarizëm të dhunshme dhe pa strategji, ajo i dha Saliut rezultatet që dëshironte. Gjithsesi, duhet pranuar se Saliu, Kryeministër ka prodhuar kriza pafund dhe ka qenë qeveria më e akuzuar për korrupsion. Sot në shekullin XXI duhet të ketë tjetër kulturë në të bërit opozitë që do të thotë ndihmë në politikbërje, mbështetje kur duhet dhe bashkëpunim me pozitën. A po bëhet një gjë e tillë dhe si bëhet opozitarimi i pakicës ?
Mëkëmbësi i Sali Berishës, zoti Lulzim Basha erdhi në politikë me mbështetjen e së bijës së Saliut,të cilin e kishte mik në kohë të vjetra, por atij i mungonte gjithçka. I mungonte përvoja në politikë, pjekuria, profesionalizmi si drejtues, aftësia, zgjuarsia dhe strategjia në politikbërje. Katapultimi që ju bë z.Basha i bëri më shumë keq se sa mirë atij. Atij ju provuan aftësitë sepse ishte shtatë vjet ministër. Në krye të Ministrisë së Transportit do të mbahet mend për Rrugën e Kombit, për heqjen e licencës së “Albatrosit” dhe kalimin e të drejtave “Belle Air”, për prishjen e mbikalimit tek “Zogu i Zi”, në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme do mbahet mënd për marrëveshjen e detit me palën greke dhe në krye të Ministrisë së Brendshme për vrasjen e katër martirëve të 21 janarit. Tani zotëria thonë se do bëjë opozitë dhe synon të marrë pushtetin me akte dhune, me shpifje dhe me blokazhe të reformave që bëhen pengesë për proceset integruese. Kryetari i opozitës nuk ka strategji dhe kudo shkon nuk merret vesh se çfarë kërkon.
Sikur të mos mjaftonin këto, edhe brenda grupit tij ka krijuar probleme sepse zotit Luli i pëlqejnë tek njerëzit gjërat e bukura siç është vetë ai në vend të atyre që ai i quan politikanë të konsumuar. Kështu, atij nuk i pëlqen mendimi ndryshe dhe ca më tepër kritikat brenda llojit. Kësisoj ai jo pak problem kishte me Mesila Dodën, e cila fjalën e lirë e kishte të shtrenjtë derisa e detyroi atë të largohet nga partia e tij, nuk i pëlqen mendimi ndryshe as i Mailinda Bregut, Eduard Selamit, Genc Rulit, Dashamir Shehut, Jozefina Topallit apo dhe i të tjerëve që edhe pse heshtin dhe qëndrojnë urtë ai i quan pleq e të paaftë për Parlamentin që do dalë nga zgjedhjet e ardhshme. Strategjia e tij është bllokimi dhe siç shikohet dhe me qëndrimet e fundit, duket se ai e ka vështirë të pranojë humbjen e cila do të jetë e padiskutueshme por dhe fatale për atë vet si Kryetar i Partisë së tij.
Që Partia Demokratike të bëhet konkurruese e të synojë pushtetin duhet të ndihmojë qeverinë. Gabimet e qeverisë janë dhe gabimet e opozitës, e cila falë paaftësive të saj, ka lejuar që të keqqeveriset në disa sektorë të rëndësishëm të ekonomisë.
Populli i ka votuar deputetët që janë në opozitë për të kontribuar në qeverisje,për ta çuar zërin e tyre aty ku duhet e për rrjedhojë të ndryshojë jeta e tyre. Duke marrë parasysh gjendjen e përgjithshme që po përjeton opozita gjykoj se ajo nuk është e gatshme të vijë në pushtet.

