”Opozita të zbresë 24 orë në shesh”, Lapaj: Qeveri tranzitore 12-mujore dhe kod i ri zgjedhor
Prej shumë javësh qëndresa e tij vijon përballë Kryeministrisë. Fjala është për kreun e ”Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj. Ai thotë opozita duhet të angazhohet në një protestë të pandërprerë 24 orë në ditë deri në arritjen e një zgjidhjeje politike.
Lapaj propozon krijimin e një komiteti qytetar për qeverinë tranzitore, e cila sipas tij duhet të ketë mandat 12-mujor dhe të përbëhet nga profesionistët më të mirë për të përgatitur zgjedhje të lira dhe demokratike. Një tjetër kusht ishte që tryezat politike të zhvillohen në shesh, pa kryetarë partish, si forum i hapur për qytetarët.
Ai kërkoi gjithashtu dakordësim për një draft të ri të kodit zgjedhor, me sistem proporcional kombëtar, lista të hapura, një zonë zgjedhore dhe 140 deputetë, duke përmendur si model Kosova. Sipas tij, ky draft duhet t’i paraqitet faktorit ndërkombëtar dhe t’i imponohet si detyrim palës tjetër, pra Partia Socialiste.
Gjatë intervistës për ”A2cnn”, ai shprehu mosbesim ndaj reformave të përbashkëta mes socialistëve dhe Partia Demokratike, duke përmendur si shembull marrëveshjen e korrikut 2024. Lapaj tha se barra e provës i takon opozitës për të treguar se e ka seriozisht përballjen me kryeministrin Edi Rama.
Sipas tij, vetëm një mobilizim total i opozitës dhe qytetarëve në shesh mund të çojë në rrëzimin e qeverisë dhe hapjen e rrugës për ndryshim politik në vend.
KOHA JONË SONDAZH

