Optimizmi i qeverisë shqiptare – Parashikon rritje 4.3% për vitin 2019
Qeveria shqiptare i qëndron parashikimeve për rritje ekonomike sipër nivelit 4% për vitin 2019. Në dokumentin më të fundit zyrtar që përmban parashikime makroekonomike, planin buxhetor afatmesëm 2020-2022, të miratuar në fund të muajit dhjetor, qeveria shqiptare parashikonte një rritje ekonomike prej 4.3% për vitin që sapo u mbyll. Një projeksion i tillë duket pak realist, duke parë shifrat e 9-mujorit të parë, por edhe zhvillimet e tremujorit të fundit të vitit.
Mbështetur në të dhënat e Instat, për tre tremujorët e parë të vitit rritja mesatare e prodhimit të brendshëm bruto ka qenë rreth 2.8%. Pas një ecurie zhgënjyese në gjysmën e parë të vitit, me një rritje që nuk shkoi përtej kufirit të 2.3%, në tremujorin e tretë ekonomia u përmirësua ndjeshëm, me një rritje vjetore 3.8%, të mbështetur kryesisht nga sektori i turizmit. Megjithatë, pavarësisht përmirësimit, as në tremujorin e tretë nuk u arrit një rritje ekonomike në nivelet mesatare të vitit 2018, kur ishte regjistruar një rritje prej 4.1%.
Për të arritur në rritjen ekonomike vjetore të projektuar nga qeveria për 2019, do të duhej që në tremujorin e fundit të kishte një normë rritje shumë të lartë, sipër kufirit të 5%. Nuk ka asnjë sinjal apo faktor që do të sugjeronte se ekonomia shqiptare e përshpejtoi ritmin e rritjes në tremujorin e fundit, ndaj një skenar i tillë duket mjaft i pagjasë. Përkundrazi, tërmeti i datës 26 nëntor, që shkaktoi dëme të mëdha, por edhe një traumë psikologjike në popullsinë e zonave të prekura, ka të ngjarë të ketë dhënë një efekt negative në ekonomi. Veç dëmeve direkte te bizneset dhe qytetarët, periudha pas tërmetit u shoqërua me një ngadalësim të konsumit dhe të aktivitetit të sipërmarrjes.
Projeksionet e qeverisë janë shumë larg prej atyre të institucioneve financiare ndërkombëtare. Projeksioni më i fundit i Bankës Botërore e vendos rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2019 në 2.9%, ndërsa sipas Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim rritja ekonomike vlerësohet të ketë qenë rreth 2.4%.
SCAN