Orari dhe pushimet janë në dorën e punonjësit në shtet, ndryshon gjithçka. Rama: Rroga 900 euro

Ata që punojnë në shtet do të mund të zgjedhin vetë se kur do të shkojnë në punë dhe të marrin pushime edhe më pak se një javë, siç aktualisht është rregulli. Punonjësit do të marrin para shtesë në bazë të performancës, ndërsa “për t’i dhënë një tjetër frymë” administratës, do të ngrihet edhe një “Akademi lidershipi.”

”Të gjithë duhet të jemi në punë brenda një fashe orare të përcaktuar 09.00 me 15:30, kolegët mund të përzgjedhin që ta nisin ditën e tyre më herët dhe ta përfundojnë më herët dhe e anasjella. E dyta në listë, ishte një kërkesë e përsëritur për të hequr kufizimin ligjor që buron nga Kodi i Punës, për marrjen e lejes vjetore në jo më pak se një javë kalendarike. E treta, do të kemi një akademi lidershipi për 450 drejtues në institucionet publike”,-tha ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni.

“Në qershor hyn në fuqi rritja e re pagave dhe kështu të gjithë do të kenë rritje në pagën e tyre dhe të arrijmë objektivin që kemi shpallur që paga mesatare në sektorin publik shqiptar të jetë 900 euro. Nuk diskutohet. Qershori është muaji i fundit me këtë pagë që keni”, deklaroi Rama.

I pranishëm në prezantimin e Planit të Motivimit të Administratës Publike ishte dhe Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili i lidhi ndryshimet me procesin e integrimit të Shqipërisë në “union”. Shteti po vuan për punonjës në disa kategori. Nga specialist të thjeshtë, por deri edhe në pozicionin e drejtorëve, sot numërohen rreth 1200 vende bosh në shtet.

SHKARKO APP