Organet e Vetting-ut, ja pse ambasadorët preferojnë zgjatjen e afateve
Ditën e nesërme, në seancën plenare në Kuvend deputetët do tu kërkohet që të votojnë zgjatjen e afateve të Vetting-ut. Amendamenti Kushtetues për zgjatjen e afateve parashikon që puna e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerit Publik të mos ndalen në qershor të këtij viti, por të vijojnë deri në fund të vitit 2024.
Hallka e parë e Vetting-ut, KPK-ja është organi i cili bën rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa Komisioneri Publik është institucioni që gëzon të drejtën për të apeluar vendimet në Shkallën e Dytë të Vetting-ut, Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, mekanizëm i përdorur në disa raste nga vëzhguesit ndërkombëtar të ONM-së.
Opsioni që procesi i Vetting-ut do të zgjaste përtej afatit 4-vjeçar, ishte parashikuar dhe si zgjidhje ishte menduar vijimi i procesit nga institucionet e reja të drejtësisë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor do të duhet të vijojë me Vetting-un e gjyqtarëve, Këshilli i Lartë i Prokurorisë me atë të njerëzve të akuzës. Ndërkombëtarët po bëjnë presion për zgjatjen e afatit dhe kjo tregon se edhe vetë ndërkombëtarët nuk i besojnë njerëzve të drejtësisë së re që mbushin radhët e KLGJ-së dhe KLP-së, të dalë pikërisht nga filtrat e Vetting-ut.
Nëse amendamenti kushtetues nuk miratohet në parim, ai nuk mund të kthehet në procedurë parlamentare për 6 muaj. Kjo do të çonte në skenarin që ambasadorët po kërkojnë të shmangin transferimin e Vetting-ut te KLGJ dhe KLP. /A2cnn/