Orialda Kajtazi rrëfen nga qelia: Arratia dhe si u njoha me një djalë

E gjendur e vetme, mes të panjohurve dhe e mbyllur mes katër mureve të dhomës së paraburgimit, Orialda Kajtazi kërkon mes lotëve mëshirë nga gjykata. Ajo shprehet e penduar për të gjitha veprimet e pamenduara që, sipas saj, janë deri diku normale për një 17-­vjeçare. Nga qelia ajo tregon se si është ndjerë gjatë një muaji arratie, së bashku me motrën e vogël dhe si i kalonte ditët në qytetin bregdetar të Vlorës. Orialda tregon se ky muaj për të ka qenë si një periudhë pushimesh, ku mund të bënte çfarë kishte dëshirë, mirëpo ditët e fundit ndjeu mungesën e familjes dhe u pendua për gjithçka kishte bërë, sidomos për vënien e zjarrit në shtëpi dhe për videot e hedhura në “Youtube”.

Orialda, cila ka qenë arsyeja e gjithë kësaj aventure që more me motrën e vogël?

Nuk e di t’ju them me siguri se cila ka qenë arsyeja e veprimeve tona. Jam ende shumë e turbullt për gjithçka që ka ndodhur. Ne u mërzitëm shumë nga jeta në shtëpi dhe nga sjellja e prindërve dhe e motrës së madhe ndaj nesh. Në njëfarë mënyre kjo ishte si një revoltë e jona ndaj tyre.

Nëse do ta ktheje kohën pas, do të bëje të njëjtat veprime?

Jo. Nuk do të ikja nga shtëpia. Kur të ktheheshin nga spitali prindërit dhe motra do të flisja me ta dhe do të përpiqesha t’i bëja të kuptonin se po silleshin shumë ashpër me ne.

Për çfarë gjëje je penduar më shumë?

Më shumë jam penduar që kam djegur shtëpinë. Nuk duhet ta bëja, sepse shtëpia është gjithçka që ka familja ime. Nuk e di si më humbi arsyeja që bëra një veprim të tillë. Tjetër gjë për të cilën jam penduar shumë është hedhja e videove në “youtube” dhe fjalët që kam thënë për familjarët. Disa nuk janë të vërteta. Unë i kam ekzagjeruar. Nuk duhet ta kisha hedhur atë video në internet sepse, jo vetëm prindërit që i lëndova, por lëndova edhe njerëzit e afërt që nuk kishin asnjë lidhje me inatin që kisha unë me familjen time. Më shumë keq më ka ardhur për familjen e dajës. Duke lexuar në medie lajme të pavërteta lidhur me ikjen tonë, ne donim të nxirrnim një video që të thoshim të vërtetën. Pastaj fjala solli fjalën dhe u publikuan ato video.

Çfarë bëtë ju përgjatë një muaji kur prindërit dhe policia ju kërkonte?

Nisi si një aventurë. Nuk na mësoi askush dhe nuk na ndihmoi askush. Dolëm nga shtëpia me motrën vetëm me dy valixhe me rroba. Morëm në shtëpi 240 mijë lekë dhe 400 euro. Qëndruam në një hotel në Durrës dhe pas 3 ditësh morëm një taksi dhe u nisëm për në Vlorë. Aty gjetëm një shtëpi me qira. Pronarit i dhamë edhe lekë paradhënie. Lekët i shpenzuam për të blerë rroba, për shtëpinë, si edhe sende të nevojshme për kuzhinën. Blemë edhe rroba dhe aksesorë për vete.

Si ishte një ditë e jotja në arrati?

Isha e lirë të bëja çfarë kisha dëshirë. Shkoja në plazh, dilja për kafe, bashkë me Klevisën. Në plazh njoha edhe një shok me të cilin ndenja 5 ditë. Unë dhe Klevisa ia kalonim bukur, sepse shkonim ku kishim dëshirë, pa i thënë askujt. Ndiheshim të lira për të bërë gjithçka, sepse nuk na njihte njeri dhe nuk kishim prej kujt të fshiheshim. Kur ndryshuam edhe look, ishim edhe më të qeta. Lajmet i ndiqnim pak ose aspak. Por kur të gjitha mediet po shkruanin për ne, u shqetësuam.

Çfarë të mungonte më shumë në ato ditë?

Asgjë. Në ato momente unë isha e turbullt dhe nuk ndjeja mungesën e asgjëje. Mirëpo ditët e fundit fillova të ndiej se më mungonte familja, pavarësisht se me ata kisha shumë konflikte.

Para dy ditësh të kanë vizituar prindërit, si është tani marrëdhënia mes jush?

Po përpiqemi që të krijojmë një raport të mirë mes nesh. Sapo i takova, unë iu kërkova falje për veprimet e nxituara që kam bërë. Ata më thanë se më kishin falur dhe se do të më ndihmojnë dhe do të më përkrahin që unë të dal nga burgu. Ata më premtuan se kur unë të kthehem në shtëpi, gjërat do të ndryshojnë dhe ata nuk do të jenë më aq të rreptë ndaj meje. Unë u kërkova që ata të marrin në shtëpi edhe Klevisën. Kam folur edhe vetë me të dhe pres që sot të ma sjellin këtu që ta takoj.

Si e parashikon të ardhmen tënde kur të dalësh prej këtu?

Do të kthehem në familje. Të ardhmen time e shikoj gjithmonë të lidhur me Klevisën, motrën e vogël. E di që ajo nuk dëshiron të kthehet në shtëpi, por unë do ta bind që ajo të kthehet. Do të bëhem krahu i saj i djathtë dhe nuk do ta braktis kurrë. Orialda kërkon mëshirë E gjendur pas hekurave, në një realitet shumë të ndryshëm nga ai që i kishin prezantuar psikologet në komisariatin e Durrësit, Orialda Kajtazi kërkon mëshirë nga gjykata. “Dua që të mbaroj sa më shpejt ky proces. Jam thellësisht e penduar për gjithçka që kam bërë dhe i kërkoj mëshirë gjykatës. Kam bërë veprime të pamenduara mirë të cilat çdo adoleshent mund t’i bëjë. Kam qenë e ngarkuar emocionalisht dhe nuk e kam kontrolluar veten”, ka thënë ajo. "Shekulli"

 

 

SHKARKO APP