OROSH (Mirditë), një përshkrim nga shkrimtarja amerikane Ann Brigde, rreth 1944-s!
Aktualitet Kultura E Hënë, 30 Gusht 2021 04:19
(OROSH, nje pershkrim nga shkrimtarja amerikane Ann Brigde, rreth 1944-s!)
…Kisha famullitare e Oroshit ngrihet në një bregore mbi një luginë të ngushtë, midis kodrave me njolla të errëta; në faqet e luginës pas saj, aty ku trualli është më pak i rrëpirtë, sheh mbi tarraca kopshte e lehe të mbjellash, e përmbi to sërish pjerrtësitë e vargut kryesor, me pyjet e pishave e kullotat, që ngrihen gjithmonë e më lartë derisa kulmojnë në kreshtën me thepa, të gjatë e të zhveshur, të Malit Shenjtë.
Është një peizazh i egër, i zhveshur dhe i ashpër, por pa rreptësinë e Spanjës – sepse është i larmë, individual, i lirë, e mbi të gjitha, plot dritë: dritë që e pasqyrojnë rrëpirat e ulta, të zbehta e të thara, kullotat e shpërndara aty-këtu dhe kurrizi i argjendë i majave të maleve. Kur del jashtë luginës duke u ngjitur lartësive, sikurse kishte bërë Gloire, panorama gjithë përplaset menjëherë mbi udhëtarin në kohën që ky i afrohet kreshtës – korita e çrregullt dhe e gjerë rend për disa milje deri lart në qafë, e mbisunduar nga njëra anë prej kurrizit të bardhë të Malit Shenjtë, nga ana tjetër prej maleve të tjera më të pyllëzuara mbi Malin Shenjtë; ndërsa pas disa hapash të tjerë, vështrimi i shtangur ndal te shfaqja e papritur e Kishës madhështore, që ngrihet me tërë vëllimin e saj mbi zhurin e truallit të sheshtë, me kambanoren e stilit rokoko përmbi parasallën dhe ngrehinat e tjera që shpërhapen gjatoshe, me trajta këndëdrejta e të rrepta, prej këndit lindor. Është kaq e madhe, kaq e bujshme, sa të lë njëherë shtangur.
E ku është ai komunitet besimtarësh që do ta mbushë këtë ngrehinë? – sepse, hiq disa pak shtëpi të vogla midis tarracave, të shpërhapura nëpër luginë, syri të kap vetëm kullota të ashpra, pyje, shkëmbenj e gurishta në faqe mali. Mirëpo famullia është aty, siç do ta shihte shpejt Gloire Thurston, besimtarë të ardhur më këmbë nëpër shtigje të gurta nga lugina e kodra milje e milje larg, andej ku ndodhen banesat e tyre të thjeshta që i fshihen vështrimit, nëpër lugje e gryka, pranë ujërave e atyre pak tokave pjellore që ofron vendi.
…Si kisha ashtu dhe komuniteti i besimtarëve janë njëherëshi vepra dhe monumenti i një trupe të mrekullueshme njerëzish, françeskanëve të Shqipërisë së Epërme. Përmes epokës së errët e pa shpresë të Turqisë, Urdhri Françeskan i mori nën krahët e veta malësorët shqiptarë, duke u kujdesur dhjetvjeçar pas dhjetvjeçari, shekull pas shekulli, që në këto vise të largëta, të vetmuara e të vështira, besimtarët të gjenin bariun shpirtëror, të bëheshin fekthimet, të ndalej vërshimi i islamizmit. Shumë prej tyre, ndoshta shumica e këtyre priftërinjve të përkushtuar ishin prej gjaku shqiptar, pjesëtarë të ngulimeve arbëreshe në Kalabri dhe Pulje, paraardhësit e të cilëve kishin marrë arratinë përballë ardhjes së turqve.
Kjo historia e françeskanëve të Shqipërisë është një nga më romantiket e më pak të njohurat në historinë e gjatë, romantike e galante të katolicizmit roman. Edhe ata i ndanë fatet e fatkeqësitë me grigjat e tyre të ashpra; ashtu si Lek Dukagjini e shumë të tjerë, ata u përpoqën dhe po ashtu dështuan, që ta vinin nën kontroll gjakmarrjen mbisunduese; hynë, me aq sa ua lejonte besimi i tyre – pasi ishin të një gjaku – në doket e pjesëtarëve të mrekullueshëm sadoqë primitivë të bashkësive të tyre. Për ta ata ishin jo vetëm priftërinj e famullitarë, por edhe mjekë, shkrues zyrtarë e shkruajtës letërkëmbimesh personale, pasi vetëm ata kishin privilegjin e shkrim-këndimit nën Turqinë. Qoftë që i miratonin qoftë që jo, ata i kanë regjistruar me përpikmëri vendimet e çuditshme, tradicionale të Këshillit të Fisit, apo Pleqnisë – vendime që mbështeteshin shumë më tepër mbi zakonin sesa mbi doktrinën katolike. Dhe aty janë deri sot e kësaj dite, tek punojnë, luten, çojnë meshën, paralajmërojnë, shërojnë, mësojnë, në një izolim të papërfytyrueshëm shpirtëror dhe intelektual, por gjithë durim, të përkushtuar tërësisht, të thithur kryekrejt nga detyra e tyre vetmitare…