OSBE dënon sulmet terroriste në Bruksel

BERLIN/VJENË, 22 mars 2016 – Kryetari i Radhës i OSBE, Ministri Federal i Punëve të Jashtme Frank‑Walter Steinmeier, dhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE Lamberto Zannier dënuan sot fuqimisht sulmet terroriste në Bruksel, i shprehën ngushëllimet e tyre të përzemërta familjeve të viktimave, popullit dhe Qeverisë së Belgjikës, si dhe i uruan shërim të shpejtë të plagosurve të shumtë. Ata theksuan solidaritetin dhe vendosmërinë e OSBE për të dhënë kontribut në luftën kundër terrorizmit.

 Kryetari i Radhës Steinmeier tha: “Këto sulme të neveritshme kishin për synim të godisnin zemrën e Evropës. Duke vepruar pabesisht, terroristët vunë në shënjestër njerëz të pambrojtur. Në këto orë dhimbjeje Evropa po tregon solidaritet dhe po shtrëngon radhët. Belgjika nuk është vetëm, ne jemi të bashkuar. Miqtë tanë belgë gëzojnë mbështetjen e fortë të Gjermanisë dhe të OSBE. Së bashku, jemi të vendosur që t’i bëjmë ballë plagës së terrorizmit.”

 Sekretari i Përgjithshëm i OSBE Zannier tha se tani më shumë se kurrë duhet të qëndrojmë të fortë, së bashku. “Lufta ndaj radikalizmit, ekstremizmit të dhunshëm e terrorizmit duhet të kthehet në një përparësi për të gjithë ne. Kërcënimi i terrorizmit ndërkombëtar tashmë ka njohur një dimension të ri, i cili prek të gjitha shtetet pjesëmarrëse të OSBE. Do të jemi në gjendje që ta mposhtim atë vetëm përmes bashkëpunimit dhe dialogut, duke trajtuar jo vetëm aspektet e lidhura drejtpërdrejt me sigurinë, por edhe shkaqet burimore të ekstremizmit të dhunshëm dhe të radikalizmit që çojnë në terrorizëm”. Zannier theksoi se terrorizmi mund të mposhtet vetëm përmes një qasjeje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, e cila karakterizohet nga pjesëmarrja aktive dhe bashkëpunimi i aktorëve shtetërorë dhe të shoqërisë civile, por edhe i organizatave ndërkombëtare dhe rajonale.

SHKARKO APP