Ose “Venecia”, ose betejë force
Preç Zogaj
Nisma e grupit parlamentar të PS-së për ta shkarkuar e ka shtyrë Presidentin Ilir Meta në qëndrime që po marrin tiparet e një betejë të tipit dy duar për një kokë. Meta po bën çmos të mos e lerë fatin në duart e “ç’të jetë shkruar”, të mos e dorëzojë kokën në sini të argjendtë, siç thotë një shprehje e njohur. Për këtë ai ka qenë dhe është gjithë sy e veshë të shfrytëzojë çdo rast, çdo veprim të gjykuar me cen procedural të KED-së apo Kuvendit, çdo boshllëk ligjor sado i vogël qoftë, çdo të pathënë e të pashkruar në kushtetutë e në ligje- të gjithë këto për t’i përdorur si bazament ligjor ku të mbështesë qëndrimet, kundërshtimet, vendimet e veta.
Thënë ndryshe: betejën e tij për të pasur njerëzit që i mendon si mbështetës të tij në përbërjen e gjykatës që do të vulosë fatin e tij nëse Parlamenti e shkarkon. E gjithë kjo legjitimohet qoftë si zakon i disa Presidentëve në vendet demokratike për të përzgjedhur, në ruajtje të sensit të masës, juristë të krahut të tyre apo të preferuarit e tyre në Gjykatat e nivelit të lartë, qoftë si një betejë në vetëmbrojtje. Meta, sigurisht, e paraqet këtë që po bën si një betejë në mbrojtje të kushtetutës. Dhe s’mund ta paraqesë ndryshe.
Të gjitha palët në konflikt këtë thonë: që po zbatojnë e mbrojnë kushtetutën. Secila palë sjell çdo ditë për publikun interpretimet e veta të kushtetutës dhe ligjit. Sa kohë që konflikti është pikërisht për institucionin që ka tagrin ta ndajë këtë gjyq, pra të shpallë se kush po e respekton e kush po e shkel kushtetutën, ne prezumojmë se të gjithë po e respektojnë kushtetutën sipas pikëpamjes së tyre.
Dhe ndërsa nuk mund të gjykojmë si publicistë se cila palë ka të drejtë, ne mund të flasim për efektet e këtij konflikti dhe perspektivën e zgjidhjes së tij.
Ka qenë e pritshme të ketë përplasje në procesin e ngritjes së organeve të drejtësisë së re. Për vetë ndjeshmërinë që kanë aktorët dhe faktorët politikë e institucionalë në vend ndaj këtyre organeve. Për ketë arsye KED, KLP, KLGJ dhe organet e vetingut duhet të jetë shumë më të kujdesshëm dhe maksimalisht preçizë në zbatimin e kushtetutës dhe ligjeve për të mos lenë asnjë të çarë që mund të përdoret për të vënë në dyshim produktin e tyre. Është e pakuptueshme, për shembull, që zonja Marsida Xhaferllari, është vlerësuar me zero pikë nga disa anëtarë të KED-së në zërin e integritetit dhe figurës.
Në tërësi është venë re një paragjykim i tipit politik për ketë zonjë, absurd sigurisht, për shkak të lidhjes së saj me ish deputetin e PD-së, zotin Alibeaj. Duket se shkujdesja, që shumëkush e mendon si lojë të paramenduar, ka përfshirë edhe datat e dorëzimit të listave ku është kapur fort Presidenti. Djalli fshihet në detaje. Lojërat me data, me orare dhe me ngatërresa si në telefonin e prishur, në funksion të një intrige, janë të njohura edhe në letërsi. Urojmë të mos jetë ky i korrespondencës së KED-së me Presidentin rasti. Sidoqoftë, në princip, është më mirë që institucionet të përplasen për zbatimin e ligjit se sa të tolerojnë shkelje dhe shkujdesje në emër të kompromiseve e pazareve si ato që kemi njohur ndër vite. Në këtë kuptim efekte e përplasjes në fjalë janë edhe pozitive sepse rrisin përgjegjshmërinë e zyrtarëve në kryerjen e detyrës.
Përplasja ka ndërkaq edhe efektet negative. Ja tre prej tyre:
E para, në perceptimin e publikut që nuk futet në teknikalitetet e ligjit dhe në imtësitë procedurale, përplasja duket sikur fshin ato dispozita kushtetuese që janë konsideruar si zgjidhje të reja për çlirimin e organeve të reja të drejtësisë nga mbajtja peng dhe pazaret e vjetra, siç janë: vlerësimi dhe listimi i kandidatëve në KED, detyrimi i organeve të emërtesës për të votuar kandidatët e listës në një afat tridhjetë ditor, emërimi automatik i të parit në listës nëse organi i emërtesës, në rastin konkret, Kuvendi, Presidenti dhe Gjykata e Lartë nuk arrijnë të zgjedhin. Të gjitha këto janë kthyer mbrapsht në rrafshin e perceptimit publik me interpretimin që i ka berë Meta afatit dhe me emërimin e një zonje që është renditur e katërta (më lart nënvizova se është paragjykuar politikisht, por ligji është ligj), kur e katra nuk mund të emërohet pa hyrë në treshe.
Një efekt tjetër negativ i përplasjes është një lloj dallge që është ngritur e vijon të ngrihet kundër vetë reformës në drejtësi. Duket sikur shumëkush mezi ka pritur një ngjarje të tillë për të shpërthyer e venë në kryq vetë reformën. Gjithkush ka patur e ka të drejtë të jetë kundër reformës në drejtësi, pa qenë nevoja e përplasjes së Presidentit me KED dhe shumicën kuvendore. Ajo reformë është votuar me konsensus dhe po zbatohet. Së shpejti do të kemi Prokurorin e Përgjithshëm të zgjedhur sipas Kushtetutës. Do te kemi SPAK që bashkë me Vetingun janë dy shtyllat e reformës. Do të kemi BKH-në dhe Gjykatën Speciale. Vetingu vazhdon pa kthim prapa gjithashtu. Edhe konflikti i fundit ka ndodhur pikërisht se po zbatohet reforma. Zonja Arta Vorpsi është zgjedhur si e renditur e para në kushtet e ezaurimit të afatit tridhjetë ditor nga Presidenti, sipas interpretimit që i bën Kuvendi.
Zonja Marsida Xheferllari është dekretuar sipas interpretimit të kushtetutës nga Presidenti. Njëra do të jetë, ligji do të vendosë cila. Po reforma as dështoi, as u lëkund që ndodhi kjo gjë. Është naivitet të mendohet. Reforma në Drejtësi është e vetmja që shkon përpara. Me vështirësi, me mundim, me pengesa lloj-lloj. Por nuk ndalet.
Së treti, përplasje të tilla e shtyjnë edhe më tej në kohë ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Natyrisht , urgjenca për ngritjen e saj nuk përligj asnjë shkelje ligjore. Më mirë të vonohet se sa të ndërtohet shkel e shko. Kur organet kompetente të shprehen për konfliktin do të dalë edhe se kush e mban përgjegjësinë për këtë shtyrje të re.
Përtej efekteve, publiku është më interesuar për zgjidhjen e konfliktit. Zgjidhjet janë dy: e para është rruga ligjore dhe këtu futet qoftë padia e Presidentit kundër kryetarit të KED-së, qoftë marrja e një opinioni nga një institucion autoritar, siç është Komisioni i Venecias. E dyta është rruga e betejës së forcës në kuptimin politik të fjalës.
Presidenti ka bërë mirë që ka çuar në Prokurori padinë e tij kundër kryetarit të KED-së. Nëse drejtësia provon se Dvorani ka shkelur ligjin, e drejta i kalon Metës. Nuk e di sa e ezauron çeshtjen e kushtetutshmërisë së vendimeve padia e tij. Kam përshtypjen se jo. Ndaj Komisioni i Venecias është aktualisht i vetmi institucion në BE që mund të japë një opinion zyrtar për këtë çështje. Ky komision na është gjendur në momente kyçe të ndërtimit të legjislacionit kushtetues dhe mosdakordësive në zbatimin e tij. Opinionet e tij kanë qenë gjithnjë udhërrëfyese dhe në të mirë të shtetit të së drejtës në vendin tonë. Referencën e vetme shteruese për zgjidhjen e konfliktit në rrugë ligjore mund ta japë vetëm ky Komision. Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese vendase, s’ka tjetër.
Rruga e zgjidhjes me betejë force është pa perspektivë për Metën, sipas mendimit tim. Kjo nuk është një betejë nga ato që bëjnë palët kundërshtare në Kuvend. Është në thelb një betejë ku ai që e ka dhënë gjen përpara institucione të ngritura, të ftohta, prapa të cilëve qëndrojnë partnerët amerikanë dhe europianë. Është shumë domethënëse që për zgjidhjen e ngërçit Presidentit të Republikës i telefonon nga Uashingtoni i ngarkuari i sekretarit te shtetit për Ballkanin Perëndimor, i mirënjohuri Matthew Palmer. Falë impenjimit amerikan dhe evropian Reforma në Drejtësi është një makineri tashmë në lëvizje, ingranazhet dhe dhëmbëzat e së cilës nuk mund t’i ndalin më as 140 deputetët që e votuan në verën e vitit 2016.
Sido që të shkojë puna për dy zonjat Vorpsi dhe Xhaferllari apo për kandidatë të tjerë që mund të ndajnë palët, zgjidhjet nistore do të kthehen përsëri të KED, të KLP, te KLGJ. Në betejën e tij Meta ka kundër episode, ngjarje, rrethana dhe zhvillime që e kanë vënë përballë partnerëve perëndimorë, siç është fjala vjen opinioni i fundit i Komisionit të Venecias që pohon se Presidenti nuk kishte një bazë ligjore për shtyrjen e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Në këto kushte dhe duke pasur parasysh faktin se as PD, as Basha, as Berisha nuk kanë ndërmend të përplasen me shtetet perëndimore për konfliktin President-KED, Meta e ka të pamundur të fitojë betejën pa marrë një opinion të favorshëm nga Komisioni i Venecias. /Gazeta Liberale/