OSHEE përgënjeshtron Bashën: 31-vjeçari nuk e vrau veten për faturën e energjisë
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar pas vetëvrasjes të 31 vjeçarit nga Kamza. Basha pretendon se vetëvrasja erdhi ër shkak se nuk kishte para të paguante energjinë elektrike. Basha nëpërmjet një statusi në Facebook ka shkruar se PD-ja premton se asnjë familje nuk do të lihet në errësirë.
Në lidhje me deklaratën e kreut të PD-së, ka reaguar dhe OSHET. Më poshtë mund të lexoni deklaratën e plotë të këtij institucioni:
“Së pari gjejmë rastin t’i shprehim ngushëllime familjes së shtetasit Klajdi Muça për humbjen e njeriut të tyre të dashur.
Për hir të transparencës ndaj opinionit publik dhe për të hedhur poshtë spekulimet fillimisht mediatike e më pas edhe politike, sqarojmë se abonenti Klajdi Muça kishte një kontratë me OSHEE-në, dhe nuk kishte asnjë faturë me vlerë 80 mijë lekë të reja!! (kjo duket qartë nga sistemi i pagesave, bashkëlidhur njoftimit)
- Muça ishte një ndër 450 mijë abonentët që kanë lidhur aktmarrëveshje (AKM) me OSHEE për pagesën e detyrimeve të prapambetura me këste.
- Ai ka lidhur AKM me OSHEE më 22 dhjetor 2016, pasi ishte debitor. Ka shlyer një këst, bashkë me faturën e muajit përkatës me vlerë 340 lekë, dhe sipas grafikut, kishte ende kohë të paguante këstin e radhës, prej 2800 lek në zbatim të marrëveshjes lehtësuese.
- Abonentit nuk i është prerë energjia elektrike dhe në asnjë rast nuk ka qenë nën presionin e OSHEE-së.
- Muça është pritur nga specialistët teknik përkatës, dhe në asnjë rast nuk ka patur debate.
- Vlera e cituar në gazetë (80 mijë lekë të reja), nuk është aspak e vërtetë, por bëhet fjalë për konsumin e muajit janar, e cila nuk ka dalë ende si faturë, pasi paguhet në shkurt, dhe vlera e saj është 9 mijë lekë të reja. Edhe në këtë rast, abonenti kishte kohë në dispozicion për ta paguar.
- OSHEE kërkon të sqarojë, jo vetëm gazetën, opozitën, por edhe opinionin publik, se nuk është vlera 9 mijë lekë shkaku që shtyu të riun drejt vetëvrasjes, por problemet e tjera, për të cilat i takon organeve të hetimit të japin sqarime, bazuar mbi dëshminë e familjarëve!!
- OSHEE ndjen keqardhje për ngjarjen, dhe kjo fatkeqësi nuk duhet të përdoret politikisht nga opozita, apo të keqpërdoret nga media!!

