”Pa Gjurmë” gjen çiftin e dyshuar për rrëmbimin e Bleona Matës, nëna sheh foton e vajzës dhe shpërthen në lot
Rasti i zhdukjes së vogëlushes Bleona Mata vijon të mbetet një nga historitë më të rënda në Shqipëri. Sipas dëshmive të fundit të bëra publike, vogëlushja dyshohet se është rrëmbyer dhe se është mbajtur peng për 3 muaj në zonën e Llakatundit, në Vlorë. Kjo pistë u forcua nga deklarime dhe materiale të trajtuara në emisionin “Pa Gjurmë” në Report TV, me gazetaren Odeta Dume.
Nëna e vajzës, Bukurie Veizi u përball me dëshmi dhe fakte të reja mbi zhdukjen e vajzës së saj. Gjatë rrëfimit ajo tha se familja që është vënë në qendër të dyshimeve ka pasur konflikt të mëparshëm me familjen Mata.
”Çiftin nga Vlora nuk e njoh. Vetëm prindërit e vajzës i kam takuar në Zapot, ditën kur u zhduk Bleona. Ish-vjehrri im ka pasur konflikt me këtë familje dhe në maj të vitit 2010 i ka denoncuar në polici”,-u shpreh Bukurie Veizi.
Në një moment kyç të emisionit, u prezantua fotografia e vajzës së çiftit nga Llakatundi i Vlorës, e cila dyshohej se mund të ishte Bleona Mata. Nëna e pa për herë të parë imazhin, por theksoi se tiparet nuk përputheshin plotësisht, ndonëse dyshimet e saj vijonin të mbeteshin tek e njëjta familje. ”Tiparet nuk përputhen, por dyshimet e mia mbeten tek kjo familje”, deklaroi ajo.
KOHA JONË SONDAZH

