Pacienti që u prek nga ”Ethet e Nilit”, flet 63-vjeçari nga Lushnja: Analiza e palcës ma zbuloi virusin
Virusi ”Ethet e Nilit” u rikthye në vendin tonë, ndërsa një prej vatrave të evidentuara është në Savër të Lushnjës ku Instituti i Shëndetit Publik ka konfirmuar një 63-vjeçar të infektuar. Skënder Delilaj e ka zbuluar infektimin pasi ka shkuar në Greqi. Atje i është nënshtruar një mjekimi të specializuar, pasi prej ditësh nuk i ulej temperatura.
Diagnostikimi i 63-vjeçarit nuk ka qenë i lehtë as për mjekët greke. Fillimisht 63-vjecari shqiptar u dyshua se ishte i sëmurë nga konsumimi i bulmetit, por pas një analizë të bërë nga palca e pacientit u konfirmua që ishte i infektuar nga pickimi i mushkonjes dhe infektimi kishte ndodhur në periudhën që 63-vjeçari ishte në Shqipëri.
Autoritetet në Greqi njoftuan në pas ministrinë e Shëndetësisë në Shqipëri. “Shkova në spital në Greqi atje më shtruan, e zbuluan pas tre ditësh. Rashë si në koma”,-shprehet ai për ”Top Channel”. Banorët në Savër thonë se autoritetet kanë spërkatur zonën dhe se vetë ata po mundohen të marrin masat e nevojshme që të shmangin pickimet nga mushkonjat. Më të moshuarit dhe ata që vuajnë nga sëmundje të tjera nuk e fshehin frikën.