Pacientja shqiptare që erdhi nga Kina shtrohet tek Infektivi. Ministria e Shëndetësisë: Nuk ka koronavirus

Një paciente shqiptare e cila u kthye nga Kina, pas përhapjes së koronavirusit në këtë shtet, është shtruar në spitalin infektiv në QSUT.

Pas ekzaminimit dhe analizave, mjekët kanë bërë me dije për se pacientja shqiptare ka grip të thjeshtë dhe nuk ka koronavirus apo shenja të saj.

Ministria e Shëndetësisë, në një njoftim për mediat deklaroi se “nuk ka asnjë studente të shtruar në spitalin infektiv në Tirane. Rasti i spitalit infektiv është një grua që ka udhëtuar 10 ditë më parë nga Kina dhe pas testimit mbrëmjen e djeshme rezulton me grip të thjeshtë dhe negative ndaj testit për koronavirus”.

Top Channel raporton se pacientja është një mësuese anglishteje që ka pas punuar në Kinë dhe është kthyer në Shqipëri para disa ditësh. Ajo fillimisht nuk ka shfaqur asnjë shenjë gripi, teksa në momentin që ka pasur dyshime i është drejtuar spitalit, ku edhe ka rezultuar grip sezonal, sipas ministrisë.

Paraditen e sotme, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu inspektoi paraditen e sotme aeroportin “Nënë Tereza”, për të parë nga afër masat e marra për parandalimin e depërtimit të koronavirusit të ri.
Ministrja Manastirliu konfirmoi se aktualisht nuk ka asnjë rast të koronavirusit në Shqipëri. Gjatë 24 orëve të fundit janë kontrolluar në Aeroportin e Rinasit 17 pasagjerë shqiptarë dhe te huaj që kanë udhëtuar nga Pekini dhe Shangai drejt Tiranës, nëpërmjet aeroporteve të tjera. Pas kontrollit të kryer nga njësia e shëndetësisë në aeroport, gjendja e tyre paraqitet e mirë. Ndërkohë që një analizë e kryer në Institutin e Shëndetit Publik tek një grua e cila kishte udhëtuar nga Kina 10 ditë më parë, rezultoi negative.
“Janë marre masa në pikat kufitare portuale dhe tokësore me ekipe mjekësore dhe epidemiologe që janë në monitorim të situates dhe raportojnë në kohe reale për çdo rast”, tha ministrja Manastirliu.

SHKARKO APP