Paga dhe shpërblime, 140 deputetë përfituan gati 5 milionë euro
Gjatë vitit të shkuar, për paga dhe shpërblime, 140 deputet shqiptarë kanë përfituar gati 5 milionë euro. Shpenzimet për 140 përfaqësuesit e popullit në Kuvend janë zgjeruar ndjeshëm që nga gjysma e dytë e vitit 2023, kur këta të fundit rritën pagat e tyre. Në muajin e fundit të vitit, Kuvendi raporton se paga i është dhënë edhe Sali Berishës i cili nuk merrte rrogën pasi qëndronte prej muajsh në “arrest shtëpie”.
Gati 5 milionë euro! Kaq para kanë përfituar 140 deputet gjatë vitit të shkuar. Të dhënat nga Kuvendi tregojnë se vetëm për paga, për ligjvënësit shqiptarë janë shpenzuar më shumë se 261 milionë lekë apo rreth 2.6 milionë euro. Shtatori, pasuar nga tetori, nëntori e dhjetori rezultojnë muajt me shpenzimet më të larta për rrogat e “përfaqësuesve të popullit”.
Në muajin e fundit të vitit, Kuvendi raporton se paga i është dhënë edhe Sali Berishës i cili nuk merrte rrogën pasi qëndronte prej muajsh në “arrest shtëpie”. Ndërkohë për udhëtime brenda e jashtë vendit, pjesëmarrje në komisionet parlamente apo rimbursim të telefonit e pagesave të fjetjes në hotele, deputet shqiptarë kanë përfituar më shumë se 223 milionë lekë apo rreth 2.3 milionë euro.
Në linjë me rrogat, edhe shpërblimet më të mëdha janë dhënë në muajt e fundit të vitit. Të dhënat nga Kuvendi tregojnë se shpenzimet për pagat përbëjnë 54 për qind të totalit të arave të paguara për 140 ligjvënësist shqiptarë gjatë vitit të shkuar, ndërsa pjesa tjetër janë shpërblime dhe rimbursime.
Në drejtim të honorarëve, udhëtimet brenda dhe jashtë vendit përbëjnë pjesën më të madhe të shpenzimeve me 24 për qind, ndjekur nga shpërblimet për pjesëmarrje në komisione, telefoni, qiratë dhe hotelet. Shpenzimet për 140 përfaqësuesit e popullit në Kuvend janë zgjeruar ndjeshëm që nga gjysma e dytë e vitit 2023. Deputetët e majtë dhe të djathtë i bashkuan votat për të votuar projektligjin që rrit pagat për pozitën e presidentit, kryeministrit, ministrave, deputetëve dhe punonjësve të administratës publike. /A2CNN/