Paga mesatare 900 euro nuk do të merret me 1 korrik

”Paga mesatare 900 euro. Qershori është muaji i fundit me këtë pagë që keni, dhe paga e radhës do jetë ajo e rritur dhe është shumë e konsiderueshme po të marrim parasysh totalin, rreth 400 mln në total për burimet njerëzore”. Ishte ky një premtim i kryeministrit Edi Rama me shumë bindje gjatë prezantimit të planit të administratës publiku, por punonjësit duhet të presin përtej korrikut për të parë më shumë para në llogaritë e tyre. Burime nga qeveria bëjnë të ditur se pamundësia për të riparë buxhetin në muajin qershor do detyroj shtyrjen edhe të vendimit për rritjen e pagave për këta qytetarë që punojnë në shtet.

Pavarësisht se kur do të rishikohet buxheti, efekti i pagave të rritura do të nisë nga 1 korriku, edhe pse në llogari nuk do t’i kenë që në këtë datë. Kështu qeveria ka premtuar që nga korriku e në vijim paga mesatare e disa kategorive, ndër më kryesorët, mjekë, infermierë dhe mësues të arrijë në 900 euro. Konkretisht mësuesit në 104 mijë e 800 lekë nga më pak se 72 mijë lekë aktualisht. mjekët e përgjithshëm në 194 mijë lekë ndërsa paga mesatare bruto e një infermieri do të rritej në 80 mijë e180 lekë. Duke bërë kështu që edhe paga mesatare bruto në administratën qendrore do të rritet me gati 50 për qind. Deri në fund të vitit në fund të vitit ajo parashikohet të arrijë në 107 mijë e 257 lekë nga 71 mijë e 630 lekë në muaj aktualisht.

Të njëjtat burime bëjnë të ditur se është vonesa e publikimit të rezultateve të censit 2023, por dhe ajo e përcaktimit të koeficientëve të rritjes së pagave nga administrata publike, arsyet që pritet të shtyjnë buxhetin të rishikohet në muajt në vijim. E njëjta gjë ka ndodhur edhe një vit më parë kur ky institucion drejtohej nga ish ministrja Delina Ibrahimaj. Rritja e pagave që duhet të fillonte që në muajin prill u reflektua në muajin qershor.

“Me miratimin e këtij ligji ne do të kemi mundësi që të vijojmë me miratimin e vendimeve të këshillit të ministrave për pagat e administratës publike. Fakti që ky ligj nuk u miratua nga parlamenti brenda muajit prill siç ishte parashikuar nga qeveria do të thotë që pagat e administratës publike do të fillojnë të rriten pas miratimit të këtij ligji që besoj do të jetë brenda muajit Maj. Pra pagat e administratës publike do të rriten nga Maji dhe do të ketë efekt me pagat që do të merren në Qershor”, ka thënë Ibrahimaj. Plan me dy faza e cilësoi një vit më parë kryeministri Rama rritjen e pagave në vend e cila pritet të përfundoj në 2024, por reforma për rritjen e pagave do të vijojë edhe në 2025, për t’u shtrirë edhe në administratën vendore. /A2cnn/

SHKARKO APP