“Pagë minimale në bashkëpunim me shtetin”, ja çfarë propozon biznesi për mbajtjen e punonjësve

Ngrirja e aktivitetit si pasojë e masave shtrënguese për shkak të pandemisë i ka dhënë një goditje të madhe jo vetëm  biznesit të vogël, por edhe sipërmarrjeve të mesme dhe atyre të mëdha.

Kjo ka bërë që këto të fundit të detyrohen që të shkurtojnë stafin e punonjësve.

Ines Muçostepa, kryetare e Bashkimit të Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë në një intervistë për Ora News tha se për të frenuar këtë fenomen biznesi po konsideron që ti propozojë qeverisë një pakt social, ku qeveria dhe sipërmarrja angazhohen për mbajtjen e tyre kundrejt një page minimale.

Muçostepa: Ajo çfarë ne kemi kërkuar dhe mund të propozojmë që ditën e nesërme është një pakt social.Kompani të mëdha janë duke vuajtur fenomenin e largimit të stafit të tyre, është një moment që duhet të reflektojmë të gjithë. Asnjë sipërmarrës nuk ka dëshirë të çojë në shtëpi personat që i ka kualifikuar vetë dhe deri këto momente i kanë mbajtur të gjithë ekonominë e ndërmarrjes. 

Nuk është një zgjedhje por shumë nga këto kompani kanë një krizë ekzistenciale dhe e kanë të detyruar këtë zgjedhje. Ajo që mund të jetë si zgjidhje për bizneset e mesme dhe të mëdha është një paketë, që do të quaja pakt social, ku shteti dhe këto kompani arrijnë ti mbajnë këto njerëz në punë, ndoshta jo me pagën reale, por duke u bazuar në ndarjen e kostos të një page minimale dhe kështu nuk do të largohen këta njerëz nga puna dhe nuk do të shtohet papunësia. Brenda datës 15 prill do të dalë dhe paketa e dytë ekonomike e qeverisë.

Sa i takon instrumentit të garancisë sovrane, Muçostepa thotë se kanë kundërshtuar normën e interesit të kredisë së propozuar.

Muçostepa: Të gjithë sektorët kanë nevojë të mbështeten me këto kredi. Kemi kundërshtuar normën e  interesit 2.85, goxha e lartë, ndërsa në vendet rreth nesh kanë qenë jo më shumë se 1%. Kemi kërkuar që kjo normë të ishte 0.2%, një normë të gjithë sipërmarrjes. Por nga qeveria flitet që mund ketë një paketë të dytë dhe të gjitha vërejtjet tona të mund të përfshihen në paketën tjetër.

SHKARKO APP