Paketa anti-KÇK, Krasniqi: Krimi dhe korrupsioni nuk luftohet me nisma të tilla

Afrim Krasniqi, analisti i A2, u shpreh në studion e “Ditari” se paketa anti-KÇK “sjell një gjykatë të jashtëzakonshme, që është e ndaluar nga Kushtetuta”.

“Drafti nuk është bërë ende publik dhe është një nga dobësitë e kësaj nisme. Praktikisht, sjell një gjykatë të jashtëzakonshme, që është e ndaluar nga Kushtetuta. Është një zhvillim negativ që krijon idenë sikur vetë struktura e qeverisë është KÇK. Nëse duan vërtetë të luftojnë krimin dhe korrupsionin, kemi një listë zyrtarësh, mes të cilëve 3 zyrtarë që nuk u lejohet hyrja në Amerikë, që mazhoranca duhet t’i hetojë për të treguar se ka vullnet”, tha Krasniqi.

Sipas analistit, “nga ana legjislative, është e nxituar, pasi është një akt normativ dhe këto akte ndodhin kur ka situata emergjente ose kur nuk ka Parlament”.

“Ne kemi Parlament dhe nuk ndodhemi në situatë të jashtëzakonshme. Kjo është nismë për konsum politik dhe është e dështuar. Nuk ka mekanizma që ia mundësojnë qeverisë arritjen e këtij veprimi. Krimin dhe korrupsionin e luftojnë subjektet e reja të drejtësisë”, theksoi Krasniqi, i cili shtoi se kjo paketë nuk është pritur aspak mirë nga ndërkombëtarët.

“Përpara dy javësh, qeveria e ka prezantuar këtë nismë te ndërkombëtarët dhe ata kanë reaguar ashpër. Për të shpëtuar fytyrën e qeverisë, kanë rënë në kompromis që të punojnë ekspertët e të dyja palëve për të sjellë një draft pozitiv në rrafshin kushtetues, që mund të përmirësojë disa praktika ligjore, që mund t’i japë një mbështetje të re strukturës së prokurorit të përgjithshëm, por që nuk prek bazën ligjore në Shqipëri. Nuk kemi asnjë deklaratë ndërkombëtare në mbështetje të nismës së fundit të qeverisë. Krimi dhe korrupsioni luftohet me sjellje serioze të institucioneve, jo me nisma të tilla ligjore”, u shpreh Krasniqi.

SHKARKO APP