Paketa Anti-KÇK, Lleshaj: Kriminelët që duhet të ishin në burg, kanë dalë në rrugë

Ministri i brendshëm Sandër Lleshaj, prezantoi sot në Kuvend aktin normativ AntiKÇK. Lleshaj tha se akti u krijua në kushte emergjence, pasi me zbatimin e reformës në drejtësi, shumë gjyqtarë panë se shanset për të kaluar vetingun janë të ulëta, ndaj edhe morën vendimi skandaloze duke liruar kriminelë nga burgu. Lleshaj tha se akti normativ ka vetëm një objektiv, shkatërrimin përfundimtar të krimit.

Sipas ministrit, fakti që në Shqipëri pas zbatimit të reformës në drejtësi po lirohen të dënuar me rrezikshmëri kriminale është një situatë emergjente.

U bënë vite që flitet për krimin, por ende ka shumë për të bërë. Në fillim vitet 90 liria u përkthye si mungesë e ligjit dhe ajo që rezultoi ishte anarkia dhe një keqkuptim i lirisë. Jemi dëshmitarë se ç’ka përjetuar vendi në fushën e mossundimit të ligjit. Që nga ndërtimi pa leje, zaptimi i pronës, më tej kolapsi, përpjekja për ta legalizuar, urbanizuar e me radhë. Është krijuar një model i papranueshëm që ligji ndjek njerëzit dhe jo e kundërta, dhe kjo ka sjellë pasoja.

Kemi përjetuar anarkitë e Fan Nolit, dhe sot jemi rezultojmë në një shoqëri ku kemi të rinj analfabetë por milionerë, të ditur po varfanjakë. Të rinj që janë futur në rrugë kriminale, perandori ekonomike të ndërtuara mbi krim, që ka shkatërruar shumë biznese të ndershme, për sa kohë lulëzojnë biznese të tilla. E gjithë shoqëria është para një sfide të madhe. E siç ndodh në këtë qerthull, vjen etja për pushtet, prestigj e krijohen modele toksike për shoqërinë. Ne besojmë se ka ardhur momenti për kthesë serioze. Vendi ka nevojë për të adresuar këto çështje. Për këtë kemi miratuar aktin normativ, jo se e kërkon BE, por se e kërkon e ardhmja jonë e fëmijëve tanë. Ndaj është marrë ky vendim unik, që synon të vendosë drejtësi, në një vend ku ajo ka munguar.

Akti synon vetëm një fjalë: Parandalim të krimit.”

SHKARKO APP