Paketa e Maleve, Musabelliu: 3 mijë aplikime
Nga zonat më malore të veriut të Shqipërisë e deri në skajin më jugor të saj, interesi i qytetarëve për të përfituar nga “Paketa e Maleve” është i lartë. Prej tri javësh qytetarët po shprehin interes për të marrë në pronësi tokën në mënyrë që më pas të zhvillojnë në projekt biznesi.
Enkelejd Musabelliu, zv/ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, u shpreh se, “janë 3175 shprehje interesi që kanë ardhur në këtë platformë. Janë të shpërndara në të gjithë territorin e Shqipërisë por zonat me kërkesë më të madhe janë ato zona ku edhe ka pasur mungesë të titujve të pronësisë. Përgjithësisht në veri dhe në juglindje të vendit”.
Gjatë një interviste televizive, ai bëri të ditur hapat që po ndiqen për zbatimin e Paketës së Maleve. ”Hapi i radhës është përcaktimi i zonave me përparësi zhvillimi, gjë që do të bëhet nga ana e bashkive, pra secila bashki do të shpallë zonat me përparësi zhvillimi në territorin e vet. Bashkitë po punojnë për shpalljen e këtyre zonave. Kur të shpallen zonat, qytetarët që kanë shprehur interes do të duhet të dorëzojnë kërkesat e tyre pranë bashkive”, tha ai.
Pasi të jenë miratuar “zonat për zhvillim”, do të nisë aplikimi real i qytetarëve, ku duhet të dorëzojnë edhe një sërë dokumentesh për të përfituar pronën. Për 500 të parët për 10 vite nuk do të ketë taksë të ndikimit në infrastrukturë, taksë të pasurisë së paluajtshme, TVSH dhe tatimi mbi fitimin. Fokusi i “Paketës së Maleve” do të jetë në veri, një hap që vlerësohet për të frenuar shpopullimin dhe për të nxitur punësimin.
KOHA JONË SONDAZH

