”Paketa e Maleve”, Rama në Theth: Mbështetje e re për investitorët vendas që duan të investojnë në tokën e të parëve
Turizmi malor dhe investimet për rigjallërimin e tij vijojnë të mbeten një prioritet, tashmë i përforcuar me një paketë të re të mbështetjes për investimet në këto zona, e cila do t’i hapë rrugë një zhvillimi intensiv, përmes inkurajimit dhe mbështetjes së investitorëve vendas, që kursimet e punës në emigracion, duan t’i investojnë në tokat e të parëve të tyre. Kryeministri Edi Rama u takua në Theth me drejtues bujtinash dhe agroturizmash nga ku njoftoi edhe zhvillimin më të ri.
“Kur them që Zoti e bëri Shqipërinë për telha ditën e dielë kur ishte pushim, kush nuk e beson duhet të vijë këtu në Theth të shohë se ku e ka vendosur pikën e parë kur e ka filluar pikturën nga maja deri poshtë, magji! Ja ku jam këtu sot me pararojën e Shqipërisë 2030, këtu në Theth.
Tani jemi këtu me një duar shtrëngim solemn, që në 30 qershor këtu të gjithë do të kenë në dorë titullin e pronës së shumëpritur që pasi i trashëguan nga stërgjyshërit, akoma nuk e kanë dot për arsye që janë të arsyeshme, por që prapë nuk duan t’i dëgjojnë më. Më 30 qershor, shtëpitë e stërgjyshërve, ato që janë ndërtuar më pas dhe janë në procese për t’u legalizuar do të kthehen në certifikata pronësie dhe ndërkohë do të jetë gati dhe Paketa e Maleve.
Paketa e Maleve do të ketë brenda një sërë masash që të gjithë ata që i kanë lënë këto male në kërkim të një jete më të mirë, të kthehen dhe me bukuritë e këtyre maleve të bëjnë sukses, të bëjnë ekonomi, të bëjnë mirëqenie dhe t’u lënë fëmijëve të tyre trashëgimi një pasuri të jashtëzakonshme”,-u shpreh kryeministri në bisedën me ta.