Pakti për Universitetin, Manastirliu: Proces gjithëpërfshirës që jetësohet çdo ditë
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi sot “Pakti për Universitetin filloi si një proces gjithëpërfshirës reflektimi dhe dialogimi dhe sot më shumë se kurrë është duke u jetësuar nëpërmjet veprimeve konkrete”. Në ceremoninë e organizuar në ambientet e Universitetit të Mjekësisë në nsije të vititi të ri akademik 2019-2020, ministrja vlerësoi marrëdhënien mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Universitetit të Mjekësisë. Kjo marrëdhënie sipas ministres, sot më shumë se kurrë lidhet edhe nga Pakti për Universitetin.
“Pakti për Universitetin janë studentët që vetëm mbrëmë në darkë janë thyer nga Gjermania ku ishin në shkollë verore. Pakti për Universitetin janë 350 studentët e Fakultetit të Stomatologjisë të cilët sot kanë mundësi të kryejnë praktikën klinike në ambientet e investuara në kuadër të marrëveshjes që ne kemi ngritur së bashku”, tha Ministrja. Pakti për Universitetin, sipas saj, “janë 360 studentët e Fakultetit të Farmacisë që deri dje nuk kishin ku të kryenin praktikat laboratorike, pasi dihet që tregu farmaceutik është privat dhe i mungonte një marrëdhënie zyrtare ligjore, që tashmë ne e keni ngritur nëpërmjet Fondit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe farmacive të rrjetit të hapur”.
Ministrja Manastirliu tha se “Pakti për Universitetin janë 32 studentët e ekselencës që tashmë janë punësuar përmes portalit “Punë të mbarë”. “Janë ata studentë që u diplomuan dhe tashmë janë punësuar apo punësohen me meritë dhe transparencë përmes portaleve që ne kemi ngritur “Mjekë për Shqipërinë” dhe “Infermierë për Shqipërinë”. “Pakti për Universitetin janë studentët që janë atashuar pranë Institutit të Shëndetit Publik për të qenë asistentë të kërkimit shkencor. Pakti për Universitetin është njësia më e re e kërkimit shkencor që do të kontribuojë në thellimin e kërkimit mjekësor në Fakultetin e Mjekësisë”, tha Manastirliu.
Ajo theksoi se “kemi ende shumë për të bërë, ndaj jemi duke punuar që në nëntor të hapim një laborator që do t’i shërbejë Fakultetit të Shëndetësisë dhe studentëve për të ushtruar praktikën klinike”. “Kemi filluar modernizimin e Qendrës Spitalore “Nënë Tereza”, ku përmes investimeve tona qoftë në spitalin kirurgjikal apo në atë të sëmundjeve të brendshme do të kemi salla leksionesh të mësimdhënies dhe të zhvilloni praktikën më të mirë”. “Një sallë e veçantë kirurgjie do t’i shërbejë të gjithë studentëve për të zhvilluar më tej praktikën klinike përmes një salle të dixhitalizuar kirurgjie ku do të mund të xhirohen të gjitha operacionet që do të ndodhin dhe do të transmetohen për t’u parë nga një grup më i mirë studentësh”, shtoi Manastirliu.
Ajo garantoi se “do të vijojmë me projekte të mëdha”, ndërsa shtoi se “projekti më i madh që ne kemi sot në dorë për të cilin qeveria ka alokuar për të hartuar projektin 7.2 milionë lekë, është duke u hartuar bashkë me ekspertët e Fakultetit të Mjekësisë”. “Projekti synon krijimin e qendrën së biostimulimit klinik dhe edukimit në vazhdim në këto ambiente brenda korpusit të QSUT -së”, tha Manastirliu. Ajo theksoi se “kemi projekte shumë ambicioze dhe kemi ende shumë për të bërë, por ajo që ka rëndësi është se më të mirët vijojnë të zgjedhin mjekësinë. “Kjo është garancia që në të ardhmen do të kemi mjekë dhe laborantë shumë të mirë dhe për këtë duhet të ndihemi krenarë”, tha ministrja.