Panairi – Lumi i Vlorës, 37 fshatra ekspozojnë produktet tradicionale
“Për një turizëm shumëformësh dhe gjithëvjetor në Lumin e Vlorës”.
Panairi me produkte blegtorale dhe ushqim tradicionale të zonës nuk ka kaluar pa vëmendje, pasi të pasura me resurse natyrore, prodhime të fushës, mishit dhe nënproduktet e tij por edhe në trashëgimi kulturore, 37 fshatrat e Lumit të Vlorës janë një destinacion për tu eksploruar dhe shijuar.
Ky ka qenë edhe qëllimi i organizimit të këtij panairi, i cili ka sjellë në këto fshatra edhe përfaqësues të turizmit nga veriu i vendit për shkëmbime reciproke.
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Ardit Çollaku, vuri në dukje rëndësinë e promovimit të burimeve të zonës.
Çollaku: Viti 2017 është viti i turizmit të qëndrueshëm i shpallur nga Organizata Botërore e Turizmit ku si Agjensi Kombëtare e Turizmit në promovimet që kemi do të fokusohemi pikërisht në zonat që lidhin fshatrat me bregdetin.
E konsideruar me një potencial të madh zhvillimor kryesisht në industrinë e turizmit, zona e lumit te Vlorës, e pasur në monumentet natyrore sikurse shpellat e Velçës apo shpella e ” shkruar” e Lepenicës, apo arkitekturore sikurse ura e Drashovicës, shquhet mbi të gjitha për folklorin plot ngjyra ku buron isopolifonia.

